E premtja e kësaj jave është “Dita pa makina”, përmes të cilës Bashkia e Tiranës, synon të sensibilizojë qytetarët për përdorimin e mjeteve alternative me qëllim uljen e ndotjes në kryeqytet.
“Do të kemi edhe ditën pa makina, në datë 22, të premten, prapë një hapësirë pedonale, do të bëjmë një ekspozim të makinave elektrike dhe taksive elektrike, pra mjeteve alternative. Gjithmonë e më shumë, energjia do të bëhet më e lirë, kurse karburanti më i shtrenjtë”, tha kryebashkiaku Erjon Veliaj.
Rrugët ku do ndalohet qarkullimi i automjeteve ditën e premte do jenë:
1- Nga rruga” Luigj Gurakuqi” do të zhvendoset në Blv. “Dëshmoret e Kombit” , përpara Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës;
2- Rruga “ Kont Urani “, do të bllokohet hyrja nga rruga e “Durrësit” deri në kryqëzim me rrugën “Mihal Duri”;
3- Rruga “Brigada VIII” deri ne kryqëzim me rrugën “ Vaso Pasha”;
4- Rruga “ Pjetër Bogdani” nga kryqëzimi me rrugën “Vaso Pasha” deri në kryqëzim me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Për të ulur ndotjen dhe për të krijuar hapësira të reja për qytetarët, kreu i Bashkisë nënvizoi se disa zona do të kthehen në hapësira pedonale.
“Edhe këtë vit pavarësisht se i kemi kthyer disa hapësira në 100 % pedonale, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, prapë do të investohemi edhe këtë vit në disa hapësira të tjera pedonale. Një prej tyre do të jetë gjithë sheshi “Nënë Tereza”.
Siç e dini, me kohë të pjesshme ai është pedonal duke filluar nga Presidenca deri te korpusi universitar. Kështu që një hapësirë do të jetë aty, hapësira tjetër do të jetë pas Ministrisë së Arsimit.
Pra duam të kemi hapësira pedonale edhe në disa lagje, është zona ku është klubi “Heminguej” dhe disa shtëpi karakteristike të Tiranës. E ka potencialin në të ardhmen të kthehet në një tjetër hapësirë si Pazari i Ri”, tha ai.
Një tjetër nismë e cila do të ndikojë në rritjen e pastërtisë së ajrit dhe uljen e ndotjes, do të jetë edhe Pylli Orbital. Kryebashkiaku deklaroi se gjatë muajve në vijim do të mbillen një numër i konsiderueshëm pemësh, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës në qytetin tonë. /tesheshi.com/