Nga Blendi Gashi
Vdekja e papritur e Astrit Deharit në burg ku po qëndronte prej 68 ditësh, djalit të vogël të Avni dhe Xhemile Deharit nga Kumanova, veprimtarë të pa lodhur të çështjes kombëtare. është përjetuar rëndë nga të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm të cilët përmes postimeve në rrjete sociale po ngushëllojnë familjen Dehari, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje, aktivist i së cilës ishte Astriti.
Pas kësaj vdekjeje tragjike po jepen versione të ndryshme rreth rastit nga organet shtetërore.
Nga njëra anë, drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka thënë se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se Astriti ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij.
Ndërsa, kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se ka parë trupin e viktimës dhe se ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Syla më tej ka shtuar se Astriti ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin
Duke parë këto deklarata kontradiktore të shtetit, Lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi institucionale për vdekjen e Astritit.
“Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja Vetëvendosje mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara”, thuhet në reagimin e VV-së.
Për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, kanë reaguar edhe avokat dhe drejtues të shoqërisë civile, por jo vetëm.
Avokati Tomë Gashi thotë se shkaku i vdekjes së aktivistit të VV-së Astrit Dehari është i dyshimt, dhe ka shtruar pyetjen se nga kush duhet të vertetohet; nga pushteti që e burgosi si terrorist, apo nga ekspertët të cilëve familja e tij ju besone?
“Astrit Dehari do të duhej të ishte i sigurt në burgun e Prizrenit sepse burgu menaxhohet nga shteti. Në të vërtet Astrit Dehari nuk do të duhej të ishte fare në burg, nëse do të kishim drejtësi të pa politizuar. Por drejtësia e politizuar ka vërtetuar zënien e shtetit nga ana e pushtetit.
Për 67 ditë Astrit u mbajt në burg pa të drejt duke u trajtuar nga pushteti si ‘terorist’ kundër shtetit të kapur nga pushteti. Sot pasi që Astriti nuk është më në mesin tonë, pushteti le të krenohet se e ka një terrorist më pak. Pyetja e fundit është se a duhet të lejojmë që shkakun pse Astriti më nuk është në mesin tonë a duhet ta vërtetojnë pjestarët e pushtetit që e arrestuan pa faj, ata që e mbajtën në paraburgim pa as një arsye. Apo shkakun pse Astriti nuk është më në mesin tonë duhe ta thonë ekspertët të cilëve familja e Astrit Deharit ju beson dhe asnjë ‘ekspert’ këtë herë të mos e marr guximin që vrasjen eventuale ta bëjë vetëvrasje siç kanë vepruar në disa raste. Kujt t’i besojmë në këto rrethana trishtuese ??? Këtë për momentin nuk e din askush për ‘ekspert’, fjalën e fundit duhet ta jap familja”, thotë avokati Gashi.
Për vdekjen e Astrit Deharit, ka reaguar edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, i cili thotë se 17 vite pas çlirimit fëmijët tanë po vdesin burgjeve.
“Asnjëherë nuk kemi pasur ëndërr tjetër përveç se të jemi të lirë, që fëmijët tanë të mos vdesin burgjeve, gjatë protestave, gjatë rrugës për në shkollë, gjatë shkruarjes së parullave apo edhe gjatë arratisjes nga vendi. Asnjërën nga këto synime nuk i kemi arritur. Ky nuk është as shteti e as liria të cilin e kemi ëndërruar. Më shumë se sot asnjëherë nuk më ka ardhur kaq neveri nga shteti im”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar pas deklaratës së policisë së Kosovës për vdekjen e Deharit.
“Policia e Kosovës në Prizren doli me deklarat për vdekjen e Astrit Deharit dhe thotë se vdekja e tij erdhi si pasojë e konsumimit të barnave të cilat e shkaktuan vdekjen . Tash e tutje nuk kemi nevojë për mjeksin ligjore- autopsinë e cila do të duhej të vërtetonte shkaqet dhe arsyet e vdekjes së Astrit Deharit. Kjo më banë të dyshoi se i ka ardhe deri te vdekja e tij”, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, Islami i cili poashtu ka shprehur ngushëllimet e tij familjes Dehari.
Ndërsa deputetë të Kuvendit thonë se drejtësia duhet të thotë fjalën e saj për rastin në fjalë.
Një prej tyre është kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka shprehur dhimbjen për studentin e Fakultetit të Mjekësisë, Astrit Dehari, derisa ka kërkuar që të bëhet hetim transparent për vdekjen e Astritit.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha e PDK-së ka konfirmuar se kanë filluar hetimet për sqarimin e vdekjes së aktivistit të VV-së.
“Në momentin e marrjes së lajmit, janë aktivizuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet relevante për t’u marrë me rastin. Zyrtarët e Shërbimit Korrektues, tashmë po kryejnë veprimet për sqarimin e rastit. Përveç kësaj, me kohë janë njoftuar ekipet e policisë, ndërkohë ekipi i Mjekësisë ligjore dhe Prokurorisë janë duke punuar për hetimin dhe sqarimin e rastit”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Vdekja e Astritit, nuk është humbja e parë për familjen Dehari, pasi në vitin 2004 ndërroi jetë edhe vëllai i tij i madh, Arbnor Dehari, ish-sekretar organizativ i VV-së. Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dje protestoi para burgut të Prizrenit ku kërkoi lirimin e Astritit, në të cilën protestë mori pjesë edhe babai i tij Avniu. /tesheshi.com/