Nr. 2 i LSI-së, Petrit Vasili, vijon pandalshëm serinë e statusve anti-Rama, pjesë e opozitës së ashpër premtuar nga partia e tij, qyshse ra nga pushteti pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Së fundi, Vasili ka shfrytëzuar protagonizmin e Ramës në takimin jo-formal të udhëheqësve ballkanikë në Durrës, për ta fshikullar ish-eprorin e tij të para disa muajve në qeveri.
“Zgjidhje urgjente varfërisë, jo haluçinacione panballkanike.
Shqipëria ka nevojë klithëse për vizion për punët e zhvillimin e saj dhe këtë vizion as e ka as do ta ketë me këtë kryeministër, që s’di ku e ka vendin.
Delirimet e donkishotizmat e një madhështie, që nuk ekziston, por që gjallon si e tillë vetëm në çoroditjen mendore të kryeministrit shkollëpak, mos humbisni kohë ta komentoni.
Na duhet me urgjencë dramatike një vizion i ri për një ekonomi kombëtare, që lufton varfërinë e papunësinë, ndërsa haluçinacionet panballkanike lerjani atij (…)shyqyr Zotit vendimet e mëdha nuk do të jenë kurrë në dorë të tij”, shkruan Vasili.
Deri më tani, Rama nuk ka reaguar asnjëherë ndaj betejës së shpallur nga LSI, përfaqsuar nga statuset e Vasilit dhe Manjanit. /tesheshi.com/