Nga Shkëlzen Rrecaj
Valmir B. Krasniqi është matematikan dhe refer në American Mathematical Society, USA (organizata më e lartë për vlerësimin e kërkimeve shkencore në botë). Autor i më shumë se 50 punimeve shkencore, prej tyre 30 të publikuara në revista me recensione ndërkombëtare dhe më shumë se 20 punime në shqyrtim, po ashtu në revista të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin që lëmë pas Valmiri ka fituar çmimin “Shkencëtari i vitit 2015” nga Ministri i Arsimit.
Ai, në intervistën për portalin ‘tesheshi.com’ tregon për vështirësitë që ballafaqohen shkencëtarët. Sipas tij, ata nuk përkrahen fare nga institucionet e vendit. Madje ai ka një kritikë të madhe edhe për Akademinë e Shkencave të Kosovës, duke mos ngurruar të bëjë thirrje që ajo të mbyllet më mirë, nëse vijon të jetë kjo që është…
Jeni shpallur “Shkencëtari i Ri i Vitit 2015” në Kosovë nga Ministri i Arsimit. Cilat janë kontributet tuaja shkencore që e keni fituar këtë titull?
Kam aplikuar për këtë çmim me dy punime shkencore. Në këto punime janë mbi 15 teorema origjinale (nga Analiza Reale, Teoria e Probabilitetit dhe Funksionet Speciale). Këto punime janë të publikuara në dy revista shkencore me reputacion të pakontestueshëm; dhe janë vlerësuar edhe nga komuniteti shkencor në fushat përkatëse. Në 3 vitet e fundit kam publikuar gjithsej 10 punime në revista me reputacion të pakontestueshëm. E, disa prej këtyre punimeve janë të publikuara në revista të nivelit jashtëzakonisht të lartë. Në 2013 kam publikuar në revistën amerikane “Applied Mathematics and Computation” më impakt – faktor 1.68. Kjo revistë konsiderohet ndër revistat më të mira në këtë fushë. Punimi i publikuar në këtë revistë është në bashkautorësi me dy nga matematikanët më të shquar të fushës së Analizës Matematike, Hari Srivastave (autor i mbi 1000 punimeve shkencore) dhe Server Dragomir (autor i mbi 800 punimeve). Vlen të përmendet se jam autori kryesor i këtij punimi. Në këtë punim është përkufizuar një funksion parametrik, i cili përgjithëson funksionin e dytë të Eulerit dhe funksionin q-Gama. Po ashtu, janë treguar disa aplikime potenciale në fushën e mekanikës kuantike dhe në fizikë. Punimi është cituar shtatë herë nga shkencëtarët ndërkombëtarë, kryesisht në revista të njohura shkencore. Në dy punimet e fundit janë përgjithësuar klasa të funksioneve të Bernshtajnit. Kam përkufizuar klasën e re të quajtur q-Bernshtajn Funksion, duke shfrytëzuar përkufizimin e q – derivatit dhe integralin e Xheksonit. Gjithashtu, në këto punime janë përkufizuar edhe lloje të reja të Funksioneve Speciale, si: klasa q-log-Bernshtajn Funksion dhe klasa q-komplet pambarimisht monotonike. Po ashtu, në këto rezultate janë përdorur elemente të q-Algjebrës së Ëiner-it, dhe elemente të masës probabilistike. Nëpërmjet masës probabilistike, është arritur lidhshmëria e funksioneve të q-Bernshtajnit dhe transformimeve të Laplasit. Këto rezultate janë publikuar në revistën “Advanced Studies in Contemporary Mathematics” me impakt-faktor 1.7.
Ju edhe në vitet paraprake keni qenë kandidat për të fituar çmimin “Shkencëtari i vitit”. Çfarë në të vërtetë ndodhi, pse deri në vitin që lëmë pas, mos ka gisht këtu politika në përzgjedhjen e kandidatëve?
Po, kam aplikuar edhe në vitet paraprake, por jam refuzuar pa asnjë arsyetim të argumentuar – e në një rast jam refuzuar për arsye banale (më arsyetimin që nuk e kam të kompletuar dokumentacionin). Në të kaluarën, ekipet e vlerësimit të MASHT-it kanë qenë të njëanshme dhe joprofesionale (me disa përjashtime). Megjithatë, e kam për obligim ta falënderoj MASHT-in, në veçanti ekipin e ministrit Bajrami, për një qasje jashtëzakonisht korrekte dhe profesionale në shqyrtimin e të arriturave të mia shkencore.
Sa përkrahet një shkencëtar nga institucionet e vendit?
Shkencëtarët nuk përkrahen fare nga institucionet e Kosovës. Edhe ato pak fonde që ndanë MAShHT-i për shkencëtarët, në të kaluarën kanë shkuar tek njerëzit e afërt me partitë në pushtet. Megjithëkëtë, ministri aktual duket të jetë më i përkushtuar në përkrahjen e shkencëtarëve, shpresoj të mos jem gabim.
Ju përveç që bashkëpunoni me profesorë nga vendi në fushën e matematikës, a keni bashkëpunim edhe me profesorë nga jashtë?
Bashkëpunimet janë të rëndësishme për çdo shkencëtar. Shumë rezultate të njohura në fusha të ndryshme të shkencës janë arritur përmes bashkëpunimeve ndërmjet shkencëtarëve. Prandaj, për të qenë më i suksesshëm në arritjen e rezultateve më të mira shkencore është e domosdoshme bashkëpunimi me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Kështu, edhe unë kam bashkëpunuar me dhjetra shkencëtarë nga vendet e ndryshme të botës. Jam shumë i nderuar që së fundmi kam bashkëpunuar me dy emrat më të respektuar në fushën e Analizës Matematike, profesor Hari M. Srivastava dhe profesor Sever Dragomir. Këta shkencëtarë janë autorë të mbi 2000 punimeve shkencore, prandaj edhe ndihem i nderuar që kam qenë bashkëpunëtor i tyre në disa projekte shkencore.
A mund të na tregoni pak për hulumtimet tuaj, në cilën fushë të matematikës jeni fokusuar më shumë?
Fushat e mia të hulumtimit janë: Analiza Reale, Teoria e Probabilitetit (masa probabilistike), Teoria e Funksioneve Speciale dhe Teoria e Pabarazimeve. Pothuajse të gjitha rezultatet e mia i përkasin këtyre fushave. Disa rezultate që i kam arritur në bashkëpunim me disa kolegë janë potenciale për t’u zbatuar në mekanikë kuantike, fizikë dhe fusha të tjera të shkencave teknike.
Ju merreni edhe me punime shkencore, dhe deri më tani, ciç dhe e thatë më sipër, keni arritur që në revista ndërkombëtare t’i botoni punimet tuaja. A mund të na tregoni për këtë sukses tuajin dhe sa punime shkencore i keni bërë deri me tani?
Kam rreth 50 punime shkencore, prej të cilave rreth 30 tashmë janë të publikuara. Të gjitha këto punime i janë nënshtruar një recensioni profesional nga redaksitë e revistave ku janë të publikuara dhe janë mirëpritur edhe nga komuniteti shkencor ndërkombëtar. Në disa nga punimet që ende nuk janë të publikuara, janë arritur disa rezultate të rëndësishme. Nëse më lejoni të veçoj një rezultat, do të veçoja përgjithësimin e teoremës “Bohr-Mollerup “. Ky rezultat mendoj që është ndër më të mirët që kam arritur vitet e fundit. Shpresoj që ky rezultat të mirëpritet edhe nga komuniteti shkencor.
Ju po ashtu merrni pjesë edhe në konferenca ndërkombëtare. Me çfarë konkretisht merreni në këto konferenca dhe cilat është rëndësia e tyre?
Kam qenë pjesëmarrës në disa konferenca shkencore ndërkombëtare. Në këto konferenca kam prezantuar punime shkencore nga fusha e Analizës Reale, Teorisë së Probabilitetit dhe Funksioneve Speciale. Disa nga këto punime janë pranuar për publikim në revistat që e kanë mbështetur konferencën. P.sh. një punim që është prezantuar në konferencën “TMSF 2011” të organizuar nga Akademia e Shkencave në Bullgari, është publikuar në revistën shkencore në kuadër të kësaj akademie. Megjithatë, mendoj se pjesëmarrja në konferenca shkencore është e rëndësishme për së paku dy arsye:
1) Takimi (njohja) me shkencëtarë nga shtetet e ndryshme, e që këto takime në të ardhmen mund të sjellin edhe bashkëpunime shkencore.
2) Informimi i drejtpërdrejtë me rezultatet shkencore të arritura nga shkencëtarët që prezantojnë në konferencë.
Në një shkrim kam lexuar se ju jeni matematikani kosovar më i cituar (me mbi 150 citime) dhe keni H-indeksin më të lartë në komunitetin e matematikanëve në Kosovë (7). A mund të na tregoni për çfarë bëhet fjalë?
H-indeksi është një “matës”, i cili përpiqet të masë produktivitetin dhe ndikimin e shkencëtarëve përmes citimeve të punimeve të tyre. Sa më i madh të jetë H- indeksi aq me më ndikim konsiderohet shkencëtari. Jam ndër matematikanët më të cituar në Kosovë, rrjedhimisht e kam edhe H-indeksin relativisht të lartë, por kjo nuk do të thotë edhe shumë sepse citimet nuk janë gjithçka, pastaj ka dallime edhe në mes citimeve. P.sh, një citim në një rezultat të rëndësishëm është shumë më i vlefshëm se qindra citime të tjera. Pra, nuk mendoj që shkencëtarët duhet të vlerësohen vetëm përmes citimeve. Megjithatë, të gjitha punimet e mira duhet të citohen sepse nëse punimet nuk citohen, rrjedhimisht ato edhe nuk lexohen.
Ju jeni kryeredaktor i revistës ndërkombëtare “MathProblems”. A mund të na tregoni me shumë për këtë revistë?
Revista “MathProblems” tashmë ka gjashtë vjet që publikohet rregullisht. Është revista e parë shqiptare e kësaj natyre. Revista ka një redaksi shumë profesionale e përberë nga emrat më të njohur që shquhen në zgjidhjen e problemeve nëpër revista të ngjashme. Revista është elektronike dhe ka këtë adresë: ëëë.mathproblems-ks.org. Aty mund të merren informata për Bordin Editorial dhe mund të shkarkohen të gjithë numrat e revistës. Ajo është falas dhe për momentin botohet vetëm në gjuhën angleze. Së shpejti planifikojmë që revista të përkthehet edhe në gjuhën shqipe dhe të gjithë nxënësit dhe studentët tanë do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në të. Për momentin të gjitha aktivitetet e anëtarëve të Bordit Editorial kryhen në baza vullnetare. Megjithatë, për të kryer aktivitete në të cilat duhet të kyçen edhe persona apo grupe të tjera, nevojitet të kemi mjete financiare. Me qëllim të konkurrimit sa më të mirë të revistave të tjera të këtij niveli, të vazhdueshmërisë sa më të përpiktë të këtyre aktiviteteve vullnetare, prandaj këtë vit përveç fondeve që kemi kërkuar nga UP-ja, do të kërkojmë mbështetje edhe nga MASHT-i.
Në një shkrim tuajin e keni kritikuar ashpër Akademinë e Shkencave, madje keni thënë që ASHAK-u duhet të mbyllet. Cili është argumenti juaj për këtë konstatim?
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të mbyllet. Kjo Akademi nuk ka prodhuar asnjë vepër shkencore ndërkombëtare në fushat e shkencave natyrore. Kjo Akademi ka pranuar anëtarë që nuk e kanë, madje, asnjë artikull shkencor të publikuar në ndonjë revistë shkencore. Shkencëtarët më të mirë kosovarë që i njeh bota, nuk janë pjesë e kësaj akademie. Në konkursin e fundit për anëtarët e rinj, janë refuzuar shkencëtarët më të mirë që ka Kosova, ndërsa janë pranuar njerëz që veprat e tyre shkencore pothuajse nuk kanë asnjë ndikim në shkencën ndërkombëtare. Kjo gjë ndodh sepse për t’u bërë akademik në Kosovë mjafton t’i sigurosh votat e njerëzve brenda Akademisë, madje edhe nëse nuk ke asnjë rezultat të rëndësishëm. Prandaj, zgjidhje e vetme mbetet mbyllja e ASHAK-ut dhe në një të ardhme të afërt edhe rihapja e saj. Por, rihapja duhet të bëhet vetëm pasi të jenë bërë ndryshimet e nevojshme në të gjitha aspektet.
Për fund. Në çfarë niveli ndodhet shkenca në Kosovë?
Në bazë të statistikave të publikuara në databazat e njohura shkencore, shkenca në Kosovë është në nivel të ulët, për të mos thënë në nivelin zero. Niveli i të arriturave shkencore në vendet Evropës është shumë i lartë, prandaj shkencëtarëve kosovarë ju mbetet të punojnë shumë për të arritur mesataren e vendeve të zhvilluara. /tesheshi.com/