Është mandati i parë i saj si përfaqësuese e qytetarëve, por brenda një kohe të shkurtër u bë emër i njohur i skenës politike kosovare.
Kjo padyshim falë punës së bërë brenda dy viteve si ligjvënëse, por sigurisht më shumë në shtatë muajt e fundit, gjatë seancave të gazit ku u bë zë i fuqishëm i partisë së saj NISMA për Kosovën.
Fjala është për deputeten Valdete Bajrami e cila në të shumtën e rasteve përfaqëson partinë e Fatmir Limajt.
Deputetja Bajrami, në një intervsitë dhënë për tesheshi.com flet për gjendjen aktuale politike në vend, çështjen e Demarkacionit dhe Asociacionit që vazhdojnë të jenë tema që përplasin pozitën dhe opozitën.
Po ashtu ajo tregon nëse ka gjasa të ribashkohen në frontin kundër qeverisë AAK e NISMA me Vetëvendosje-n, ndërsa flet edhe për zgjedhjet e reja, formimin e ushtrisë e tema të tjera relevante…
Intervistoi: Blendi Gashi
Si e shihni gjendjen aktuale në Kosovë, të tensionuar apo e qetë për momentin?
Gjendja në Kosovë është vazhdimësi e asaj që ka qenë në gjashtë muajt e kaluar. Pra, situata nuk është e qetë siç e paraqesin qeveria dhe presidenca. Kosova gjendet në një krizë të thellë.
Demarkacioni është vënë si kusht për vizat. A do të marrë pjesë NISMA në seancën kur do të ratifikohet në Kuvend? Nëse po, me çfarë metoda do ta kundërshtoni?
Nuk pajtohemi që Demarkacioni me Malin e Zi të jetë kusht për liberalizimin e vizave. Nuk është e drejtë që Kosovës dhe qytetarëve t’iu kufizohet lëvizja e lirë me ratifikimin e Demarkacionit. Ky kriter shtesë është i padrejtë dhe i papranueshëm. Si opozitë kemi qenë të prerë se nëse në momente të caktuara tentohet të sillet për rafitikim Demarkacioni në Kuvend, do ta kundërshtojnë fuqishëm.
Të shtunën e kaluar keni mbajtur një protestë së bashku me AAK-në. Kur do të mbani protestën e radhës?
Protesta e së shtunës dha një sinjal që zëri opozitar, konkretisht koalicioni i fuqishëm AAK dhe NISMA do t’i kundërshton dy marrëveshjet, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Nuk është caktuar ende datë për protestën e radhës, por për një gjë të tillë do ta njoftojmë me kohë opinionin publik.
Siç duket i keni ndarë rrugët me VV-në, por a ka gjasa që sërish të rrugëtoni së bashku me këtë lëvizje? A keni biseduar për një bashkim të mundshëm kundër qeverisë?
Zëri opozitarë është unik në dy kauzat. NISMA, qysh në fillim është deklaruar se konceptet dhe vizionet e dallojnë me VV-në. Ndarja e rrugëve është pikërisht ruajtja e konceptit të NISMA-s. Por besoj se edhe Vetëvendosje i kundërshton këto dy marrëveshje dhe, një gjë të tillë e konfimoi sërish edhe një deputete e VV-së me të cilën isha në një debat, ku theksoi se Asociacionin dhe Demarkacionin do ta kundërshtojnë edhe ata.
Na tregoni a ka pasur apo jo udhëheqësia e NISMA-s ndonjë kontakt me përfaqësuesit e VV-së prej që kur keni ndarë rrugët?
Jo nuk ka pas kontakte, por nuk do të thotë që s’mund të ketë. Në rrugën e kundërshtimit të Demarkacionit dhe Asociacionit besoj se opozita do të duhej ta kishte një rrugë të përbashkët. Por koalicioni AAK e NISMA është i hapur për të gjithë ata që nuk pajtohen me qeverinë aktuale dhe besoj se ka vend edhe për Vetëvendosje-n.
Në opinion po flitet gjithnjë e më shumë se koalicioni i ardhshëm, kurdo që mbahen zgjedhjet do të jetë PDK-AAK-NISMA. Kë preferoni më shumë për koalicion, PDK-në apo LDK-në?
Për koalicionet paszgjedhore nuk do të deklarohem pasi është kompetencë e liderëve të partive, këtë rast NISMA-s dhe AAK-së (si dy parti në koalicion parazgjedhor) që të negociojnë për një çëshje të tillë, kuptohet duke marrë mendimin e organeve të partisë.
Transferimet janë bërë pjesë e përditshme e skenës politike. Si i shihni dhe çka përfitoi e çka humbi NISMA prej tyre?
Unë kam një kërkesë për votuesit që të fillojnë të rishikojnë se kënd po e votojnë. Definitivisht kjo legjislaturë, qoftë në nivel qendror apo lokal ka auzuar me votën e qytetarit. Shumica e deputetëve i kanë marrë votat në një parti dhe më pas kanë kaluar në një subjekt tjetër. E di që kjo është e drejtë e secilit prej nesh, por të abuzosh me votën që e ke marrë nga një parti më duket e padrejtë ndaj votuesve që kanë votuar ata persona.
Se a ka humbur apo fituar NISMA nga lëvizjet politike kjo i mbetet elektoratit të vendos, por besoj se NISMA asgjë nuk ka humbur vetëm sa ka fituar. NISMA është duke u dyfishuar dhe aspak nuk vërehet mungesa e njerëzve që kanë vendosut t’i bashkohen një subjekti tjetër.
Pra, sipas jush këto transferime politike po bëhen për marketing politik, apo vërtet pranë partive po afrohen njerëz intelektualë?
Njerëzit që po i bashkohen NISMA-s janë intelektualë dhe me vetëdije të plotë dhe gjithë vullnetin e tyre dëshirojnë të japin maksimumin, qoftë për ndryshim qoftë në nivel lokal apo qendror. Prandaj, aderimet e NISMA-s janë të reja, nuk janë aderime për foto, por për të dhënë kontriutin e tyre.
Presidenti dhe Kryeministri nuk përshëndetën pafajësinë e Limajt. Pse sipas jush nuk e thanë asnjë fjalë?
Kjo tregon se çfarë niveli kanë rënë edhe presidenti edhe kryeminstri. Nuk përshëndesin një vendimi për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e vendit! Më vjen keq që nuk kanë pasur kurajo dhe guxim ta bëjnë një akt të tillë. Ndoshta edhe frika që z. Limaj defintivisht do të dalë i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave që i kanë ngritur ndaj tij, ndoshta ka bërë që të struken dhe të mos e lëshojnë as edhe një deklaratë.
Arrestimi i Azem Sylës, propaganda mediale apo shenjë se po kapen “peshqit e mëdhenj”?
Nuk dua ta komentoj këtë rast.
Nëse partia ju cakton për kandidate për kryetare të Prishtinës apo do të pranonit sfidën?
Nuk e kam menduar. Unë jam nga Gjilani dhe nuk besoj se do të kandidohesha pasi nuk jetoj dhe nuk jam e Prishtinës. Por kushdo që kandidohet prej NISMA-s do ta ketë mbështetjen edhe nga unë.
Po e përjashtoni mundësinë pra të kandidoni për kryetare të qytetit tuaj, Gjilanit?
Kudo që vendos elektorati dhe ku e sheh partia të nevojshme ta jap kontributin, unë do t’i përgjigjem pozitivisht.
A besoni se sivjet Kosova do të bëhet me ushtri?
Duke parë që qeveria aktuale për asnjë moment nuk ka punuar për interesat e qytetarëve dhe të shtetit, duke parë që dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK të gjithë potencialin e tyre ta harxhojnë në dialogun me Serbinë, nuk e shoh se mund të krijohet ushtria me këtë qeveri.
Duke qenë në dijeni se PDK dhe LDK janë në agjendën e Beogradit, është e ditur se Lista Serbe dhe Beogradi nuk e përkrahin formimin e ushtrisë. Andaj, kjo qeveri jo legjitime bën mirë të shkoj sa më parë sepse shumë pengesa dhe dëme i ka sjellë vendit.
Për fund, sa i përcjellni zhvillimet politike në Shqipëri? Ku dallon politika në Kosovë nga ajo në Shqipëri?
Me thënë të drejtën nuk kam aq mundësi që nonstop të përcjell zhvillimet politike në Shqipëri duke pasur parasysh ngjarjet që janë në vend. Nuk mund ta bëj një shkëputje pasi nuk mund t’i përcjell rregullisht. Por përshtypja ime është që në përgjithësi në rajon është një mentaliteti i ngjashëm i politikbërjes. /tesheshi.com/