Kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ka përcjellë një letër homologut kroat Gordan Jandrokoviç, ku pas urimit kortezial mbi marrjen e Presidencës së BE-së nga Kroacia, shprehet besimi se negociatat do hapen pikërisht në Zagreb.
“Edhe pse Këshilli Europian nuk arriti të rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e 17-18 tetorit 2019, kjo nuk na ka dekurajuar, por përkundrazi, na ka mobilizuar më shumë dhe na ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë për integrimin europian të Shqipërisë.
Unë shpreh bindjen se Presidenca Kroate do të jetë Presidenca e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe se gjatë Presidencës Suaj do të çelen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Kroacia do t’ia arrijë me siguri që vendet skeptike të kapërcejnë barrierat konceptuale jorealiste dhe t’i bind ato se rajoni ynë është një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian dhe qytetërimit perëndimor”, thuhet në letrën e Ruçit.
Kujtojmë se dhe Brukseli ka paralajmëruar se Samiti i Zagrebit në maj, do jetë mundësia e madhe që çështja e negociatave meTiranën e Shkupin të mbyllet plotësisht si kapitull. /tesheshi.com/