Nga Auron Tare
Duhet kujtuar jo vetëm si një ditë kur Il Duce pushtoi një vend të vogël si Shqipëria, por si një nga ditët më të zeza të Ushtrisë Kombëtare Shqiptarë. Një mësim se si e gjithë hirarkia ushtarake hodhin pushkët dhe ja mbathi nga fronti i luftës duke sjellë një faqe turpi për ushtrinë në fjalë. Kjo datë, sëbashku me 97-ën, janë dy ditët kur shqiptarët panë me sytë e tyre së përtej pompozitetit gradave dhe spaletave plot shkëlqim, ushtria që ishte krijuar me aq sakrifica, ishte në fakt një dru i kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia e politikës shqiptare.
Ushtria është pulsi i një kombi dhe këto dy data treguan se shteti i shqiptarëve është totalisht i paaftë të mbajë në këmbë një ushtri. Po kjo jo për faj të qindra ushtarakëve që sakrifikuan për ushtrinë, por për politikën servile, të paaftë dhe antikombëtare që e shkatërroi atë. Prandaj, përtej një date të pushtimit fashist, 7 Prilli është edhe data e një reflektimi të thellë mbi kalbëzimin dhe rrënimin e ushtrisë.
Por ky reflektim sjell në vëmendje momente të rëndësishme historike, kur ushtarakët shqiptarë, nën flamujt e shteteve të forta të kohës, kanë lënë gjurmë të thella në historinë europiane. Si dy historitë e mëposhtëme, për të kuptuar se aftësitë e ushtarakëëve shqiptarë, ato individuale, nuk kanë munguar kurrë. Ajo që ka munguar është një shtet shqiptar me të gjithë kuptimin e vërtetë.
Në 25 qershor 1799, Beteja e Abukirkit
Shqiptari Said Mustafa Pasha, një gjeneral me eksperiencë i frontit ruso-turk, zbarkon në brigjet e Abukirkit, qytezë pranë Aleksandrisë. Përballë tij, trupat e gjeneralit të ri francez Napoleon Bonaparti, i cili, i frymëzuar nga historia e Aleksandrit të Madh ëndërronte për një fushatë nga Egjipti drejt Indisë.
Francezët kishin disa muaj që po përparonin në territorin otoman të Egjiptit dhe otomanët, në aleancë me britanikët, kërkonin të nderprisnin fushatën e Napoleonit I cili kërcënonte rrugët tregtare drejt Indisë.
Me ndihmën e anijeve britanike të admiralit Sidney Smith, repartet otomane, ndër të tjerë shumë shqiptarë nga vilejeti i Janinës, vendosën kampin në bregdetin e Abukirkit. Me të zbarkuar nga anijet, repartet otomane sulmuan fortifikimet e portit dhe morën me sulm fortesën e mbrojtur nga francezet. Flamuri otoman u ngrit përsëri mbi të duke ulur flamurin freng.
Krenar për këtë sukses, Mustafa Pasha nuk po nxitonte të marshonte drejt Kajros për t’i shtysë francezet nga qyteti dhe nga territori egjiptian. Ky hezitim i gjeneralit arnaut i kushtoi atij betejën, pasi Napoleoni duke parë që trupat e Mustafait ishin pozicionuar me shpinë nga deti, sulmoi duke thyer linjën e parë të mbrojtjes.
Francezet hasën në një mbrojtje shumë të fortë nga trupat arnaute në linjën e dytë, ku vetë Mustafa Pasha ishte në krye të tyre. Francezët u tërhoqën duke lënë shumë të vrarë, por gjenerali i Kavalerisë, Murati I i famshëm, duke parë një të çarë në rradhët e arnautëve sulmoi furishëm dhe e mori linjën e dytë. Murati dhe Mustafa Pasha u përballën me njëri-tjetrin dhe gjenerali francez më shpatë i preu disa gishta të dorës Pashës, ndërsa Arnaut Pasha me kobure e plagosi Muratin në nofull.
I ndjekur nga kalorësit e tij, Murati i plagosur u hoq nga fushëbeteja, por Mustafa Pasha, edhe ai i plagosur, u kap rob nga francezët.
Napoleoni e mori Abukirkin dhe fama e kësaj beteje rrodhi në sallonet e Parisit, duke i dhënë Napoleonit një popullaritet të madh.
Fama e Betejës së Abukirkit hyri në analet e fitoreve të Napoleonit si një ndër fitoret e
rëndësishme të tij në Fushatën e Orientit, por jo vetëm. Në Harkun e Triumfit ne Paris, vizitorët mund të shikojnë një dedikim të kësaj beteje dhe në respekt të trimërise së gjeneralit shqiptar, portretin e Mustafa Pashë Arnautit, fama e të cilit u eklipsua vetëm nga i nipi i tij, pushtuesi dhe themeluesi i Egjiptit modern, Muhamed Ali Pasha, shqiptari i famshëm nga Jugu i Shqipërisë.
Beteja e Rosetës, 21 mars 1807
Napoleoni me të marrë vesh trazirat politike në Francë, u largua me shpejtësi nga Egjipti duke i lënë trupat franceze në përballje me britanikët dhe aleatët e tyre otomane. Pas pak muajsh, Napoleoni e braktisi ëndrrën e tij lindore dhe filloi një seri betejash ndaj fuqive europiane. Ndërkohë Egjipti, pas largimit të francezëve, ra nën një luftë civile ku britanikët që kërkonin një bazë të rëndësishme drejt Lindjes e nxisnin atë fshehurazi.
Por qëllimet e tyre u penguan nga ambiciet e një tjetër shqiptari i cili jo vetëm kishte zbarkuar në Egjipt vetëm me repartat e shqiptarëve të mbledhur me shpejtësi në Jugun e vendit, por kërkonte të vendoste sundimin e tij atje ku i ungji nuk ja kishtë dalë dot.
Një burrë i pjekur por i paprovuar në beteja frontale, ai komandonte rreth
2000 shqiptarë dhe që përveç shqipes nuk dinte asnjë gjuhë tjetër. Nga shkrimet e konsullit të përgjithshëm francez në Egjipt, Bernandino Drovetti, mësojmë se Muhamedi me të mbërritur filloi një fushatë sulmesh ndaj bejlerëve që sundonin provincat egjiptiane dhe, për të mbrojtur krahët la në Aleksandri garnizonin vetëm me shqiptarë. Brenda dy viteve ai po e shtrinte sundimin e tij kudo në hapësirat egjiptiane.
Nën komandën e gjeneral Mackenzie-Fraser, Flota britanike filloi një zbarkim në Egjipt për t’i dhënë fund sundimit të Muhamed Aliut dhe për të marrë nën kontroll vendin, sidomos vijën bregdetare.
Britanikët filluan sulmin në rrethinat e Aleksandrisë dhe duke marrë me sulm llogoret përqark fortesës, përparuan në thellësi. Por në vendin e quajtur me emrin antik si Shtyllat e Pompeut, britanikët hasën në një qëndresë shumë të fortë, duke lënë të vrarë dhe të plagosur. Britanikët tërhiqen nga fusha e betejës për të riparë planet e tyre. Ndërkohë, një pjesë e flotës nën komanden e Sir John Thomas Duckëorth dhe flamurmbajtesen britanikeMHS Royal George, mbërriti në ujrat e Aleksandrisë për të mbështetur zbarkimin.
Muhamed Aliu, duke parë rrezikun që sillte një zbarkim britanik në Egjipt, ndaloi operacionet ndëshkimore dhe pasi bëri një aleancë të shpejtë me trupat vendase, ju drejtua fushës së betejës.
Kishte vetëm pak vite që shqiptari kishte vendosur sundimin e tij dhe britanikët shpresonin se me politikën e tyre të njohur “perça e sundo” do të mund të ngrinin një pjesë të mamlukëve kundër tij. Për këtë ata nënshkruan një marrëveshje me Muhamed Beun, liderin e mamlukëve, me shpresën se trupat e tij do të sulmonin Muhamed Pashën pas shpine.
Gjeneral Aleksander Mackenzie Fraser, komandanti i përgjithshëm i trupave britanike
nga kuarteti i tij në Aleksandri, vendosi të dergonte një pjesë të trupave të tij në Al Rashid (fshati Roseta) për të kontrolluar pikën e furnizimeve të ushtrisë së Muhamed Aliut në Aleksandri. Por kjo pararojë britanike u prit me luftë nga trupat e Muhamed Aliut, të cilat ishin nën komandën e një tjetër shqiptari, Ali Beu i Selanikut. Pasi largoi popullatën civile, Ali Bej Selaniku hapi portat e qytetit për t’u dhënë përshtypjen britanikëve të lodhur nga marshimi në shkretëtirë se qyteti ishte braktisur nga mbrojtësit e tij. Britanikët u futen në qytet dhe pasi e gjetën atë të braktisur u ulën të shlodheshin nga marshimi rraskapitës. Ishte ky moment që shqiptarët e Muhamed Aliut filluan një sulm të tmerrshëm nga çatitc dhe dritaret e godinave që rrethonin qendren e qytetit. 185 të vrarë, 282 të plagosur dhe 120 robër ishte bilanci.
Kjo betejë vendimtare dhe beteja e Al Hammadit që e pasoi atë, ajo midis Muhamed Aliut dhe Gjeneral Fraser, ju bëri të qartë britanikëve se kundërshtari i tyre, shqiptari Muhamed Ali Pasha, ishte i pathyeshëm.
Pas një qëndrimi në Aleksandri për disa javë dhe dorezimin e robërve nga ana e Muhamed Aliut si një gjest kalorsiak ndaj të mundurve në fushën e betejës, trupat britanike u evakuuan nga brigjet egjiptiane, duke hapur kështu epokën më të ndritur në historinë moderne të Egjyptit, epokën e Muhamed Ali Pashës. /tesheshi.com/