Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se administrata e tij ndaloi ndihmën financiare ndaj palestinezëve, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj tyre për t’u kthyer në negociatat me Izraelin, njoftoi media izraelite.
“Unë u thashë atyre: ‘unë nuk paguaj për ju derisa të kemi një marrëveshje'”, citohet të ketë thënë Trump ditë më parë në një komunikim telefonik me liderë dhe rabinë hebrenj.
Ai shtoi se ekipi i tij po punon për një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinës dhe se “një përparim i madh” është arritur gjatë vitit të kaluar.
Trump gjithashtu shprehu shpresën që udhëheqësit iranianë do të kthehen në negociatat për një marrëveshje të re bërthamore me Shtetet e Bashkuara, si rezultat i sanksioneve që u rifutën kundër Teheranit.
Trump përsëriti pretendimin e tij se palestinezët do të përfitonin në një farë mënyre nga vendimi i tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. /tesheshi.com/