Dekorimi i trenit i cili u nis të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicën Veriore është bërë me paratë e ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me drejtor Marko Gjuriç.
Gazeta serbe “Politika” shkruan se për këtë është organizuar një thirrje publike, ndërsa dizenjimi i trenit serb, i veshur brenda me ikonografi nga manastiret ortodokse serbe në Kosovë, ndërsa nga jashtë i pikturuar me mbishkrimin në 21 gjuhë “Kosova është Serbi” i është besuar një dizajneri grafik dhe fotografit Andrej Vasiljeviç.
Ndërkohë, serbët kanë vendosur të mos i shkojnë dëm paratë e hedhura për trenin dhe tashmë ai do të lëvizë në linjën e brendshme, nga Kraleca në Pozhegë. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç, njoftoi përdorimin e trenit me ndryshim të itinerarit, “për arsye ekonomike”. /tesheshi.com/