Mbi 70 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur rëndë, si shkak i shpërthimit të një cesterne karburanti. Ngjarja e rëndë ndodhi në Mozambikun perendimor, pranë kufirit me Malavinë, në fshatin Caphiridzange.
Ende nuk janë zbardhur shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie, por mediat e huaja raportojnë se po hetohet në disa pista. Autoritetet mendojnë se si shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë ndonjë rrufe, apo zjarr aty pranë.
BBC shkruan se nga shpërthimi i madh kanë humbur jetën të paktën 73 persona, ndërsa deri tani numërohen mbi 110 të lënduar, por bilanci mendohet të rritet.
Mësohet se shoferi i cisternës po u shiste karburant banorëve në momentin kur ndodhi masakra.
Mediat lokale e kanë përshkruar situatën të tmerrshme, pasi vendi ishte i mbuluar me gjak dhe me gjymtyrë njerëzish.
Autoritetet kanë vijuar punën për zbardhjen e shkaqeve dhe marrjen e masave për stabilizimin e personave të mbijetuar./tesheshi.com