Qeveria maqedonase miratoi propozim-amendamentet kushtetues në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, pasi ajo ka përmbushur më parë me kërkesat e grupit të ish-deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët, në kundërshtim me pikëpamjen e partisë votuan për ndryshimin e tyre.
Sipas mediave maqedonase, tashmë Marrëveshja e Ohrit do të futet në preambulën e Kushtetutës.
Kryeministri Zoran Zaev tha se amendamenti i parë ka të bëjë me ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe i dyti mbi shtimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Zaev thotë se ai mendon që ky vendim është i saktë.
Ai shtoi se ndryshimi i tretë thotë se Maqedonia do të respektojë integritetin territorial të shteteve të tjera, dhe i katërti mbron popullatën maqedonase që jeton jashtë vendit, pa ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të tjera.
“Drafti i propozuar është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe, në veçanti, me interesat e Republikës së Maqedonisë dhe perspektivën e saj kur është fjala për integrimin euro-atlantik. Projekt-amendimet meritojnë mbështetjen e të gjithë deputetëve në emër të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, tha Zaev.
Hartimi i amendamentit vjen pas miratimit të procedurës për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, bazuar në vendimin e 19 tetorit 2018, marrë në parlament.
Ndryshimet kushtetuese janë paraparë në kuadër të Marrëveshjes së Prespës, që Athina dhe Shkupi nënshkruan në fillim të korrikut, si kusht për fillimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Qeveria maqedonase do t’i paraqesë Kuvendit katër projekt-amendamente për zbatimin e Paktit me Greqinë. /tesheshi.com/