Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kritikoi qëllimin e Kosovës që forcat e tyre të sigurisë të shndërrohen në ushtri, duke theksuar se ishte në kundërshtim me këshillat e shumë vendeve aleate.
“Ne biseduam në lidhje me qëllimin e Kosovës për të filluar me transformimin e forcave të sigurisë të Kosovës në ushtri. Ky hap ndodh në kohë të gabuar, dhe në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve në NATO dhe mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e integrimit euroatlantik të Kosovës”, tha Stoltenberg në konferencën për gazetarët pas përfundimit të takimit dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s.
Pra thënë troç, NATO nuk është pro themelimit të Ushtrisë, e cila sipas Prishtinës zyrtare do të ndodhë më 14 dhjetor.
Ndërkohë, që kur nisi ky proces, qeveria e Kosovës pretendonte se e kishte NATO-n me vete.
Megjithatë, nr.2 i kabinetit Haradinaj, Enver Hoxhaj, tha në një mesazh në Twitter se “kalimi i FSK-së tek forcat e armatosura është një proces që nuk mund të ndalet”. Kjo, jo si reagim ndaj Stoltenberg, por si reagim ndaj Vuciçit. /tesheshi.com/