Presidenti Thaçi shpalli vizionin e tij të njohjes së Kosovës nga Serbia, duke shprehur besim se 2019-ta sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve. Në një konferencë për shtyp në mbyllje të vitit, kreu i shtetit kosovar përmendi të mirat që do të sillte marrëveshja, e cila tashmë kërkohet me ngulm dhe nga presidenti Trump.
“Kosova e fiton njohjen nga Serbia, e fiton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian – nëse arrihet marrëveshja dhe unë shpresoj që do të arrihet dhe besoj në këtë drejtim. E fiton njohjen globale sepse do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe e fiton vendin e sigurt për NATO dhe BE“, tha Thaçi, duke iu kthyer dhe letrës së presidentit amerikan, dërguar atij dhe homologut Vuçiç.
“Pas letrës së presidentit Trump gjithçka është e qartë. SHBA-ja ka mbështetje të plotë, një mbështetje që ka ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga njeriu numër një, njeriu më i fuqishëm në botë, presidenti i SHBA-së. Nuk ka më dilemë a e mbështetë SHBA-ja këtë proces. Përkundrazi, e theksoj, uroj që të jemi të bekuar që kjo marrëveshje të bekohet nga presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi Thaçi.
Por ai nuk pranoi asnjë kushtëzim për nisjen e dialogut, siç Serbia këmbëngul, duke kërkuar heqjen e tarifave doganore.
“As Kosova nuk duhet ta vështirësojë fillimin e dialogut, e as Serbia nuk duhet ta kushtëzojë fillimin e dialogut”, theksoi presodenti kosovar. /tesheshi.com/