Nga Miradie Hasani
As në Maqedoni, rezultatet e testit ndëkombëtar PISA në arsim nuk kanë rezultuar pozitive. Dy herë e 68-ta, në shkencë dhe në lexim, kurse në matematikë e 67-ta – janë pra këto rezultatet për Maqedoninë.
Nxënësit 15-vjeçarë që iu nënshtruan këtij testimi vitin e kaluar, e që rezultatet u shpallën tani, treguan se nuk janë të mirë në 3 lëndët ku u testuan gjithsej 72 shtete të botës.
Xheladin Murati, profesor universitar, sqaron disa prej arsyeve që nxënësit e Maqedonisë kanë treguar rezultate të dobëta.
Pse dhe në Maqedoni rezultate të dobëta ne testimin ndërkombëtar PISA?
Fillimisht dua të them se testi PISA me karakter ndërkombëtar nuk ngjason me asnjë test tjetër që përdoret në shkollat dhe arsimin në Maqedoni, as me teste internet dhe as me ato eksterne.
Testi PISA shërben si instrument për matje të diturive dhe mundëson të shihet niveli arsimor në shtetet dhe objektivisht të krahasohet me vendet e tjera pjesëmarrëse në testim. Testi PISA është testim kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm. Në bazë të rezultateve nga testimi merren indikatorë për cilësinë, barazinë dhe efikasitetin e sistemeve arsimore. Përmbajtjet e testit fokusohen në shkencë, lexim, matematikë.
Rezultatet e dobëta në testin PISA të nxënësve nga Maqedonia janë rezultat i shumë arsyeve, ndër të cilat duhet veçuar:
-mos përgatitja e mjaftueshme e nxënësve për testim ndërkombëtar;
-pjesëmarrja formale në testim;
-qasja tjetërfare e testit si metodologjike ashtu edhe didaktike;
-motivim i dobët i nxënësve për pjesëmarrje në testime ndërkombëtare;
-dallimet në qasjet mësimore tek ne dhe në shkollat e vendeve tjera;
-logjika tjetër fare e punës mësimore tek ne dhe shkollat e vendeve tjera.
Ka dhe shume arsye dhe dallime të tjera. Megjithatë, rezultatet e dobëta të nxënësve nga Maqedonia nuk janë ekskluzivitet, sepse deri diku edhe Shqipëria e padyshim Kosova janë në rang të njëjtë, fatkeqësisht.
Pra duhet shumë pune sistematike dhe permanente si të nxënësve ashtu edhe të arsimtarëve për pjesëmarrje në testime ndërkombëtare.
Në terma të përgjithshëm si do e komentonit sistemin arsimor në Maqedoni, e ka cilësinë e duhur?
Arsimi është faktor që përcakton rrugën e zhvillimit e të gjitha fushave. Sistemi arsimor në Maqedoni është çështje komplekse dhestrategjike. Ai gjithnjë është në proces transformimi dhe ndryshimi, me të vetmin qëllim të sigurojë arsim cilësor për të rinjtë në të gjitha nivelet. Megjithatë sistemi arsimor dhe arsimi në të gjitha nivelet është skajshmërisht i politizuar dhe partizuar; dhe pikërisht kjo reflektohet edhe në cilësinë e arsimit. Politika arsimore nuk e ka si objektiv ndryshimet cilësore; që të sigurojë tekste cilësore, të hartojë kurrikula që reflektojnë cilësi në mësim e të ngjashme.
A mendoni se duhet punuar më shumë me nxënësit që të përmirësohen në shkathtësitë e tyre, pikërisht në lëndët ku edhe janë testuar? Dhe si e shihmi dëshirën e nxënësve për të mësuar, a duhet të ndërrohet programi mësimor?
Siç dihet, është nxënësi ai që mëson, kurse arsimtari organizator i procesit mësimor dhe udhëheqës i nxënësit, kreator i mësimdhënies, vlerësues i asaj që nxënësit mësojnë. Në këtë kontekst, më rëndësi është sa arsimtarët i aftësojnë nxënësit si të mësojnë; dhe e dyta, sa i zhvillojnë tek ata shkathtësitë e të mësuarit. Çështja e shkathtësive të të mësuarit është problem shumë irendësishëm dhe kjo çështje mungon nëpër shkolla.
Kam bindjen se dëshira e nxënësve për të mësuar është çështje shumë relative, madje dukshëm mungon. I vogël është numri i tyre që seriozisht dëshirojnë të mësojnë dhe për këtë ka shumë arsye, të cilat këtu është e tepërt t’i elaborojë (lëndë të shumta, numri i orëve ditore dhe javore i madh, përmbajtje mësimore të tepruara e të panevojshme për jetën dhe zhvillimin e të ngjashme.
Të gjitha këto shtrojnë çështjen e rishqyrtimit të programit mësimor, sepse ai duhet të jetë kompaktibil me zhvillimet bashkëkohore, të jetë funksional me kërkesat që shtron teknologjia dhe pedagogjia bashkëkohore dhe të siguroj kushte për integrime evropiane.
Sa kontribuojnë mësimdhënësit që t’i mësojnë nxënësit e tyre apo punën e tyre e bëjnë në mënyrë formale?
Roli i mësimdhënësit është gjerësisht i njohur në teorinë dhe praktikën pedagogjike si faktor dominues për t’i mësuar nxënësit dhe futur ato në fshehtësitë e jetës. Objektivi parësor i tyre është të kontribuojnë në aftësimin e nxënësve për të mësuar dhe t’i aftësojnë për punë të pavarur e cilësore, të logjikojnë dhe mendojnë në mënyrë abstrakte dhe problemor. Pra të zhvillojnë potencialet intelektuale – kognitive duke afirmuar dhe nxitur proceset gnoseologjike, aksiologjike, demijurgjike, komunikologjike e të ngjashme.
Qasjet e këtilla reflektojnë cilësinë, qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e arsimit e të procesit mësimor.
Duke u nisur nga praktika pedagogjike, kam bindjen se arsimtarët veprimtarinë e tyre nuk e realizojnë formalisht. Ata kanë parasysh prioritetet didaktike në mësim dhe synimi i tyre është realizimi efikas dhe cilësor i procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke zbatuar metoda më të larmishme didaktike dhe metodologjike.
Një element themelor për cilësi në arsim është përgatitja cilësore e mësimdhënësve, aftësimi i tyre me shkathtësi personale, profesionale, organizuese dhe menaxhuese të mësimdhënies.
Respektimi i ligjshmërive pedagogjike është kusht për çdo vendimmarrje për ndryshime në arsim, në shkollë, në mësimdhënie dhe në menaxhim me ndryshimet arsimore.
Sipas rezultateve që kanë treguar nxënësit, më keq se nxënësit në Maqedoni, qëndrojnë vetëm nxënësit nga Kosova dhe ata nga Algjeria dhe Republika Dominikane, ndërkaq rezultate më të mira treguan nxënësit nga Singapori, Japonia dhe Estonia. /tesheshi.com/