Një tërmet i fuqishëm ka goditur në orët e para të së mërkurës provincën Aceh të Indonezisë, duke u marrë jetën së paku 52 personave, e duke shkatërruar një numër të madh godinash.
I shkallës 6.5 ballë, tërmeti goditi në bregun verilindor të ishullit Sumatra, ku mendohet se shumë njerëz janë nën rrënoja.
Një autoritet qeverisës i rajonit Pidie Jaya, më të goditurit nga lëkundjet e fuqishme të tokës, ka deklaruar se numri i viktimave mund të rritet, e se mes të vdekurve kishte shumë fëmijë.
Ndërkaq, është përjashtuar rreziku nga një cunami, sipas agjencisë meteorologjike të Indonezisë.
Ishulli Sumatra është goditur këtë vit nga disa tërmete.
Një tërmet i fuqishëm do ta godiste bregun lindor të Sumatras në dhjetor të 2004-s. Cunami i shkaktuar u mori jetën rreth 230.000 personave, pjesa më e madhe e të cilëve qenë në Aceh. /tesheshi.com/