Edhe pse jeton ndanë Rrugës së Kombit, pra zhvillimit, progresit, ecjes drejt integrimit siç i thonë, nënë Barbulla Pepa që i ka mbushur plot 100 vjeç, në këtë muzg jete fati e ka çuar të bejë një jetë afërsisht si ajo e bagëtisë, pasi dhe kushtet në të cilat ajo jeton, kasollja ku fut kokën, i përngjan më tepër vendit ku strehoet bagëtia. Këtë fat njerëzor pra, e has në Fang të Mirditës, shumë pranë Rrugës së Kombit.
Të vetmit që i bëjnë shoqëri të moshuares janë macja dhe me dy bagëti të imta, pasi vajza e vetme që ajo ka është e martuar dhe jeton në Tiranë.
Shteti në fakt është kujtuar për këtë grua të gjorë, këtë plakë që ka kapur një shekull jete, por vetëm për t`i ndërprerë energjinë elektrike, e cila mungon në kasollen e saj prej më se dy muajsh. Nënë Barbulla tregon se e vetmja e ardhur për të është pensioni prej 7 mijë lekësh të reja me të cilët i duhet që të sigurojë bukën e gojës, ndërsa që të paguajë energjinë as që bëhet fjalë.
Mes lotësh në sy kjo e moshuar tregon se në shumë raste i ka munguar edhe buka për t`u ushqyer për ditë të tëra. Ajo apelon për ndihmë, pasi në këto kushte e ka të pamundur që të jetojë.
“Unë këtu jetoj e vetme, pasi nuk kam djalë por vetëm një vajzë që e kam të martuar në Tiranë. Mua më ka vdekur burri që prej 20-vitesh dhe që atëhere jetoj e vetme në këtë dhomë te shkatërruar këtu në Fang. E vetmja e ardhur për mua është pensioni prej 7-mijë lekësh me të cilin më duhet që të jetoj, pasi nuk kam asnjë të ardhur tjetër. Prej dy muash më kanë ndërprerë energjinë elektrike, pasi nuk pata mundësi që të paguaj faturat. Vetëm çfarë më ka ndihmuar vajza se unë nuk kam asnjë mbështetje tjetër. Jetë shumë e vështirë nuk ka ku shkon më, pasi për ditë të tëra kam vuajtur edhe për bukën e gojës. Unë i kërkoj ndihmë shtetit ta shikojnë ku jetoj, pasi në këtë llojë banese as kafshët nuk mund të jetojnë. Unë nuk e di se sot jam gjallë në këtë moshë, pasi kam vuajtur shumë gjatë gjithë jetës sime” thotë Barbulla Pepa.
Vajza e të moshuarës. Pashkë Karroja, tregon së nëna e saj jeton prej vitesh në këtë banesë në këto kushte ekstreme, duke rrëfyer se prej 4-muajsh e ka patur të pamundur që ta vizitoje për shkak të një fatkeqësie që ka patur me të birin. Ajo tregon se ndonëse ka patur vetëm 1 llampë sa për t`u ndriçuar, faturat e energjisë kanë ardhur të fryra, duke e bërë të pamundur pagesën e tyre. “Kjo jeton e vetme këtu, pasi babai ka vdekur prej kohësh. Kjo ka kaluar një jetë tepër të vështirë. Unë e kam ndihmuar me aq sa kam patur mundësi dhe vij disa herë këtu dhe e vizitoj, por jam dhe për vete në kushte të vështira ekonomike. Kjo e ka banesën në gjendje tepër të mjerueshme dhe duhet që shteti ta ndihmojë. Faturat e energjisë i kanë ardhur shumë të fryra, deri në 5 mijë lek të reja, ndërkohë që kjo ka vetëm një llampë dhe asnjë paisje tjetër”, thotë Pashkë Karroja, vajza e të moshuarës.
Plaka Barbullë vërtet i ka 100 vjet jetë, por kështu si po i shkojnë lutet të mbarrojnë sa ma shpejt. /tesheshi.com/