Hetimi për videopërgjimin e famshëm ku PD-ja akuzoi vëllanë e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj se po bënte transaksion për shitje droge, ka sjellë të reja tronditëse.
Personi që në videopërgjim ofrohet si Agron Xhafaj, është në fakt një tjetër person që mësohet se ka imituar zërin e vëllait të ministrit.
Laboratori i Policisë Shkencore në Romë ka sjellë përgjigjen që zëri nuk është i Xhafajt, por prokuroria ka shkuar edhe më tej duke gjetur personin që ka zërin në videopërgjim.
Madje ky person është ofruar si dëshmitar dhe ka deklaruar se ai dhe i ashtuquajturi “Dëshmitari X”, pra Albert Veliu, kanë organizuar gjithçka me “kërkesë nga lart”.
Ky lajm i ri pritet që të sjellë një zhvillim të ri në hetimet që prokuroria ka nisur për këtë çështje.
Pra nga hetimet për trafik, do të nisë ajo për falsifikim dhe shantazh me qëllim të caktuar, afërsisht si rasti i Tom Doshin me Durim Bamin, i cili deklaroi 4 vjet më parë se ishte paguar për të vrarë deputetin socialist.
Në prokurori, “aktori” ka deklaruar se ka qenë Babalja që i ka kërkuar të simulojë zërin e vëllait të ministrit.
“Babalen e njoh prej kohësh, ai më thirri dhe më tha që të nisim këtë mesele”, mësohet të ketë thënë në prokurorinë e Krimeve të Rënda, njeriu që ka dubluar zërin e Agron Xhafajt.
Pra siç bëjnë të ditur burime pranë organit të akuzës, është vërtetuar tashmë se “telenovela Babale” është një show i stisur me prapavijë politike.
Por çfarë sjell kjo kthesë në hetimet e prokurorisë?
Dy gjëra: rrëzon hetimet për elementin e parë, pra për trafik droge dhe e ndryshon përfundimisht objektin e hetimit.
Tashmë sipas të gjitha gjasave prokuroria po heton se përse u prodhua ky “film” dhe kush ishin ata që e kanë nxitur këtë falsifikim.Dhe pikërisht kjo mund të sjellë reperkursione jo të vogla.
Kjo pasi “filmi” u shfaq jo në portale apo media, por në vetë selinë e Partisë Demokratike, ku u prezantua nga tre persona të rëndësishëm politikë, deputetët Evin Saljanji dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe ish-ministri i Drejtësisë dhe Gazmend Bardhi.
Pra këta të tre persona, si lançuesit e filmit me Babalen aktor, do të pyeten se a kanë lidhje me prodhuesit e materialit dhe a e vërtetuan ata autenticitetin.
Por para se të vijmë këtu do të hetohet vendi ku u montua dhe u regjistrua videoja e audioja, pasi Babalja nuk ka gjasë të jetë ekspert produksioni audioviziv.
Dhe këtu do të duhet përgjigja e pyetjeve: kush e kërkoi, kush e urdhëroi dhe kush pagoi për t’u prodhuar ky material i cili tashmë është i vërtetuar se nuk është i real por i fabrikuar.
Dyshimet e para janë se paratë kanë ardhur nga qarqe jo fort të kthjellëta biznesi. Në këtë rast, deklarata nën betim e financuesit mund të sillte edhe mbylljen e hetimeve, por edhe pasoja jo pak të vogla për atë politikë që e ka përdorur këtë makinacion. /tesheshi.com/