Donald Trump thotë se po mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët – por, duke përdorur fjalët e presidentit, një “i ashtuquajtur gjykatës” po “e bën këtë punë tepër të vështirë”. Megjithatë, gjykatësi – që ndaloi urdhërin ekzekutiv kontravers të presidentit për emigracionin – thotë se po sigurohet se veprimet e presidentit Trump i binden ligjit.
Kjo përballje vendos në kundërshti degë teorikisht të barabarta, qeverinë kundër gjyqësorit dhe anasjelltas e sjell Amerikën në prag të një krize.
Çdo të thotë kjo?
Ndarja e pushteteve është thelbësore në të kuptuarit se si qeverisen Shtetet e Bashkuara. Kushtetuta e vendit përcakton sistemin e vyer të kontrolleve dhe ballancave – ku degë të ndryshme të qeverisë zotërojnë autoritet të barabartë dhe kundër-peshojnë njëra-tjetrën.
Pushteti i qeverisë federale është i ndarë në tre pjesë të dallueshme – dega ekzekutive, që përfshin presidentin dhe kabinetin e tij, dega legjislative, Kongresi që harton ligjet dhe Gjyqësorin.
Kjo ndarje funksionon në pjesën më të madhe të kohës, pasi secila degë bashkëpunon me tjetrën. Por në rastin kur presidenti është në konflikt të hapur me një degë tjetër, ka druajtje se mund të arrihet në një rrugë pa krye.
Një gjë e tillë mund të sjellë një krizë institucionale – një skenar sipas të cilit situata nuk mund të ketë zgjidhje – sidomos pasi Trump duket se po vë hapur në dyshim autoritetin e gjykatësve.
“Armiqësia e presidentit në drejtim të sundimit të ligjit nuk është vetëm e sikletshme, por e rrezikshme”, tha senatori demokrat, Patrick Leahy nga komiteti juridik i Senatit. “Ai duket se ka për qëllim ta precipitojë situatën në një krizë kushtetuese”.
A është një gjykatës vërtet i barabartë me presidentin?
Në Shtetet e Bashkuara, janë rreth 700 gjykatës federal – të llojit që mund të rrëzojnë urdhërin e presidentit.
Në kundërshtim me gjykatësit e gjykatave shtetërore, këta burra dhe gra janë pjesë e sistemit federal gjyqësor – së bashku me Gjykatën e Lartë dhe gjykatat e Apelit.
Ditë për ditë, 94 gjykata distriktesh merren me interpretimin e ligjeve amerikane, traktateve dhe zyrtarëve publikë – fuqi që iu rrjedhin nga gjykata e Lartë.
“Pushteti gjyqësor duhet të shtrihet në të gjitha rastet, me ligj e barazi, duke dalë nga kjo kushtetutë, Ligjet e Shteteve të Bashkuara, traktatet e bëra ose që do të bëhen….”
Kushtetuta e SHBA, Neni III
Por, gjykatat nuk ofrojnë opinione për politikën e qeverisë deri sa ato pyeten – ato interpretojnë vetëm ligjin kur rasti sillet përpara tyre. Dy degët e tjera të qeverisë bëjnë dhe zbatojnë ligjet, dhe dega gjyqësore interpreton ligjet kur ka konflikte.
Këtu është problemi- një urdhër ekzekutiv presidencial ka gjithë forcën e një ligji dhe është subjekt i njëjtave kontrolle.
Fuqi të tilla gjyqësore janë përdorur shumë herë më parë. Barack Obama u përball me bllokime të patundura në vitin 2015 kur u përpoq të përdorte një urdhër ekzekutiv për t’u dhënë shtyrje afati emigrantëve pa dokumente, dhe Xhorxh Bush u përball me po të njëjtën betejë në lidhje me të burgosurit në Guantanamo Bay.
Përse nuk i shkarkon Trump këta gjykatës?
Eshtë e vërtetë se disa gjykatës distriktesh janë të caktuar nga presidenti dhe të konfirmuar nga Senati. Gjykatësi James Robart, për shembull – “i ashtuquajturi gjykatës” i cituar në kritikat e Trump – është caktuar nga presidenti Xhorxh Bush dhe është konfirmuar në vitin 2004.
Por, Trump nuk mund të shkarkojë gjykatësit. Kjo ndodh për shkak se etërit themelues të Shteteve të Bashkuara krijuan një sistem për të mbrojtur Gjyqësorin nga ndërhyrjet.
Pushteti ekzekutiv i Trump ka kufij të përcaktuar. Vetëm Kongresi mund të shkarkojë një gjykatës federal nga detyra përmes paditjes, që angazhon të dyja dhomat, atë të Përfaqësuesve dhe Senatin. Është i njëjti sistem që përdoret për të shkarkuar presidentin.
Mbrojtja e nenit tre është, në terma praktikë, shumë e ngurtë. Vetëm tetë gjykatës janë dënuar me anë të padive gjyqësore në të gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara.
Përfundimi është se gjykatësit federalë zakonisht shërbejnë në detyrë derisa ata vendosin të dalin në pension, ose deri sa ndërrojnë jetë.
Efektivisht, dy nga tre degët e qeverisë janë në konflikt – dhe asnjëra prej tyre nuk mund të shkarkojë tjetrën.
Po gjykata e Lartë?
Gjykata e Lartë, si duket edhe nga emri, ka pushtetin më të lartë në sistemin gjyqësor – gjykatat e tjera janë inferiore ndaj saj.
Në këtë rast, qeveria mund ta kishte dërguar apelimin e saj kundër vendimeve të gjykatësve të distrikteve në Gjykatën e Lartë – dhe mund ta bëjë ende këtë gjë.
Gjykata ka nëntë vende. Katër prej gjykatësve janë emëruar nga demokratët: dy nga presidenti Klinton dhe dy nga Obama. Katër janë caktuar nga presidentë republikanë: George W Bush, George Bush i Vjetri Snr dhe Ronald Regan. Një vend mbetet bosh pas vdekjes së Antonin Scalia.
Ashtu sikundër edhe gjykatat e tjera federale, megjithatë, edhe Gjykata e Lartë është e mbrojtur nga ndërhyrjet.
Por, tashmë janë vetëm tetë gjykatës në të, katër të caktuar nga demokratët e katër nga republikanët dhe me një vend bosh që pritet të mbushet me një të caktuar nga presidenti Trump që mund të ndryshojë ballancën e pushtetit.
Po fuqia e tretë – dega legjislative?
Kongresi mund të thyejë çdo ngërç që ngrihet midis presidentit dhe gjyqësorit duke hartuar një ligj që shfuqizon vendimin e tij – apo madje, edhe duke paditur apo ngritur çështje ndaj një presidenti apo gjykatësi.
Në momentin që partia Republikane e Trump ka shumicën në degën legjislative, veprimi kundër presidentit duket se nuk ka gjasa.
Ndërsa pavarësia e gjykatave është kaq thelbësore për mënyrën e qeverisjes së Shteteve të Bashkuara saqë lëvizjet për të sulmuar gjykatësit në emër të presidentit do të ishin një hap drastik.
Gjithsesi, me dy nga tre pushtetet në konflikt, vendimi me gjasa do të bjerë tek Kongresi – vetëm nëse Trump modifikon urdhërin. Kjo mund të jetë lëvizja më e kujdesshme, duke u pajtuar me pararendësit e tij që shpesh janë zmbrapsur përballë kundërshtisë së gjyqësorit.
Për momentin, megjithatë, Trump “nuk mund ta besojë që një gjykatës të vendosë vendin tonë në një rrezik të tillë” – dhe nuk shfaq asnjë shenjë se do të ndryshojë mendje.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/