Dropulliti Vangjel Tavo bëri betimin si kryetar i ri i bashkisë së Himarës, si minoritari që i vuri përfundimisht kapakun sagës “Beleri”, duke pamundësuar që njeriu tipik i Athinës në marrë drejtimin e Bregut shqiptar.
Ceremonia e marrjes së detyrës u zhvillua në një mbledhje të këshillit bashkiak të Himarës, aty ku Tavo, një ish-socialist, më pas një lësëist e sërish socialist, garantoi se nuk do të jetë një qytetar i parë, por do të jetë një shërbëtor i parë i Himarës dhe do të punojë për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj bashkie.
“I privilegjuar të qëndroj para jush si kryetar i bashkisë së Himarës, i nderuar që do t’u shërbej banorëve në çdo njësi e fshat. Unë betohem se nuk do të jem qytetar i parë, por shërbëtor i parë i Himarës. Do të punoj në të mirë të banorëve për përmirësimin e jetës”, tha ai.
Tavo siguroi se bashkia nën drejtimin e tij do të jetë një qendër komunitare që kujdeset për nevojat e banorëve.
“Kjo bashki do të jetë e juaja. Zyra ime do të jetë e hapur për banorët e thjeshtë. Do të jenë të hapura dyert dhe për ide për secilin që kërkon të kontribuojë në të mirën e Himarës”, u shpreh ai. /tesheshi.com/