Ekipi negociator i Kosovës për dialog me Serbinë realizoi takimin e parë në Bruksel, duke zhvilluar një bisedë me znj. Mogherini.
Edhe në këtë rast, pala kosovare i ka bërë të qartë gruas në krye të diplomacisë së Brukselit se taksa doganore ndaj Serbisë nuk mund të hiqet pa marrë asgjë.
Bashkëkryesuesi i ekipit, Shpend Ahmeti bëri këto komente në pas-bisedë me Mogherinin.
“Është e qartë se taksa nuk hiqet në të thatë. Taksa është i vetmi mjet për të bërë presion mbi Serbinë. Duke potencuar qëndrimin për të gjitha politikat e Serbisë, edhe ne konsiderojmë që tregtia duhet të jetë pjesë e dialogut. Por thamë se mesazhet e Mogherinit për taksën do t’i dërgojmë te qeveria”, tha Ahmeti.
Nga ana tjetër, njeriu që Partinë e re Socialdemokrate të Kosovës me lëndë njerëzore nga VV, siç dhe ai vetë, tha se nga ajo çfarë doli prej takimit, është se BE-ja nuk i mbështet shtetet etnikisht të pastra.
“Sipas Mogherinit, por dhe atë që kemi dëgjuar edhe nga SHBA, ideja është që të punohet me orar më të ngjeshur në gjysmën e parë të këtij viti për të parë nëse mund të arrijmë marrëveshje. Është e qartë që ka pasur komunikim edhe me Uashingtonin edhe me Moskën që të arrihet një marrëveshje. Sipas Mogherinit çdo marrëveshje është e pranueshme për të dyja palët, por që i përfaqëson vlerat e BE-së. Pra kjo do të thotë se nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra”, shtoi njeriu me rolin e ri në politikën kosovare.
Nga ana tjetër, çështja e taksës u komentua dhe nga bashkëkryesuesi tjetër i ekipit negociator, Fatmir Limaj.
Sipas tij, taksën për ta hequr e ka në dorë vetë Serbia.
“Ne tani jemi në një moment që të gjithë ta krijojmë klimën për dialog. Edhe tema e taksës, në një marrëveshje përfundimtare nuk do të ketë nevojë për taksë. Raportet Kosovë-Serbi janë jonormale, dhe situata normale është njohja reciproke. Besoj që do ta bisedojmë edhe në Prishtinë, do të bisedohet edhe në Beograd dhe do të gjendet rruga për të vazhduar dialogu”, ka deklaruar Limaj nga Brukseli.
Një ditë më parë, ishte dhe presidenti Thaçi që foli për taksën, si nevojë për t’u hequr, por duke kaluar nga Beogradi, pra ulja për marrëveshje, që sipas tij duhet të çojë në njohje të Kosovës nga Serbia. /tesheshi.com/