Kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës – ka deklaruar ashpërsisht ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, e kjo pas emërimit të Sylejman Selimi, ish-komandant i ish-UÇK-së, si këshilltar i kryeministrit Haradinaj.
Kosnett, me anë të një mesazhi në Twitter, u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që “të ndalojnë mbështetjen e individëve të tillë”.
“Një mbështetje e tillë hedh dyshime mbi angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit”, shkroi Kosnett.
Selimi u lirua javë më parë me kusht, ku po vuante dënimin për krime lufte të kryera kundër civilëve gjatë viteve ’98 – ’99. Sapo la qelinë, Selimi u morr nga Haradinaj në kabinetin e tij duke u emëruar këshilltar politik.
Hashim Thaçi dhe Haradinaj, dy ish-bashkëluftëtarë të tij, e kanë quajtur Sylejman Selimin si një “hero të gjallë”.
Para se të dënohet, si pjesëtar i grupit “Drenica”, ai mbajti poste të larta, deri dhe ambasador i Kosovës në Shqipëri. /tesheshi.com/