Për pjesën më të madhe të europianëve, kërcënimi i ndryshimeve të klimës gjendet jashtë vendit të tyre: ngritja e nivelit të detit në jug të Azisë, të korrat e dështuara në Afrikë, stuhitë e fuqishme në tropikë, thatësira në vendet në zhvillim.
Por, ndërsa presidenti François Hollande përgatitet të organizojë samitin e OKB-së për ndryshimet e klimës në fund të këtij muaji, europianët janë duke u përballur tashmë me sinjalet e ngrohjes globale. Detet, malet, pyjet, qytetet, rreziqet brenda vetë Europës janë të shumta, të ndryshme dhe tashmë të vështira për t’u injoruar.
Spanja
45 për qind e prodhimit të vajit të ullirit në botë vjen nga Andaluzia, e cila ka një histori gati 1 mijëvjeçare të kultivimit të ullirit. Sot, 1.5 milionë hektarë i janë dedikuar ullirit. Por, ndryshimet klimaterike mund ta transformojnë këtë peizash dhe të fshijnë kultivimin e ullinjve andaluzianë.
“Gjërat që do të dëmtohen më shumë nga ndryshimet e klimës do të jenë ato që nuk mund të përshtaten, si p.sh ullinjtë apo vreshtat”, thotë Ana Iglesias, inxhiniere agronome në Universitetin teknik të Madridit dhe një nga ekspertët spanjollë që kontribuan në raportin e fundit të OKB për ndryshimet klimaterike.
Për më tepër ullinjtë dhe vreshtat duan dekada që të rriten për të sjellë prodhim. Investime të mëdha që janë bërë në këto kultura në Spanjë, tashmë kërcënohen nga kushtet klimaterike. Disa zona në Spanjë, sipas ekspertëve, nuk do të mund të kultivohen më, e pasi të ikin njerëzit, do të shndërrohen në shkretëtira.
Veç thatësirsë, edhe rritja e temperaturave dhe fenomenet ekstreme të motit, si breshëri, godasin fermerët drejtpërsëdrejti.
Tashmë, efektet janë këtu. Këtë vit agrumet janë goditur rëndë nga thatësira, e disa lloje mandarinash apo klementinash parashikohet të kenë 25 për qind më pak prodhim.
Italia
Sipër pyjeve me gështenja ndodhet një kodrinë me bredha ku dallohen tre pista skish. Pika më e lartë arrin 1600 metra, më e ulëta 1 mijë metra. Resorti është një nga të shumtët në Itali. Ai duket pak si i shkretuar, por jo për mungesë investimesh, por për mungesën e dëborës.
Resorti Saint Grée është piktura e braktisjes, është praktikisht një ish-resort. U ngrit me shpejtësi në vitet 1970, pasi sipërmarrësit panë mundësinë e madhe të turizmit në këtë zonë me reshje të dendura dëbore.
Por, ja që dëbora po mbaron. Falimentimi pllakosi vendin dhe as injeksionet e parave, rreth 700 mijë euro, nuk e shpëtuan vendin. Dhe parashikimet janë më të zymta, pasi dëbora nuk do të kthehet në këtë zonë, ndërsa pritet që temperaturat mesatare të rriten me 2 gradë deri në vitin 2100.
Dhe bëhet fjalë për një nga 50 resortet e vogla në Alpe që tashmë nuk kanë më vend në zhvillimin ekonomik në zonë.
Alpet janë një zonë unike për të tërhequr skiatorët, 30 për qind e të cilëve janë të huaj, mirëpo ekspansioni në tregun e skiive duket se është në vende të tjera si në Rusi, Kinë dhe në Azinë Qendrore.
Polonia
Polonia tashmë ka shpenzuar 13 miliardë euro për të zmbrapsur kërcënimet nga ndryshimet e klimës, kryesisht në mbrojtjen e qyteteve nga valët e të nxehtit dhe rrebeshet që janë duke u bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Por, rreziku më i madh në Poloni mund të vijë nga deti Balltik. “Pjesa më e madhe e bregut po tërhiqet, dhe komunitetet bregdetare janë duke parë sesi burimet natyrore shndërrohen në gërmadha”, thonë ekspertët.
Në 100 vitet e fundit, niveli i detit Balltik është rritur me 20 centimetra, që nuk përbën ende kërcënim. Mirëpo, nisur nga hotelet dhe blloqet e banimit që janë ndërtuar ngjitur me detin, kjo nuk do të zgjasë shumë.
Britania e Madhe
Përmbytjet e rënda që përfshinë Britaninë e Madhe vitin e kaluar mund të jenë një shenjë e asaj që do të mbërrijë nëse ndryshimet klimaterike nuk frenohen. Dimri 2013-2014 ishte më i lagështi në historinë e Britanisë me stuhi të forta që nisën që në tetor. Deri në fund të shkurtit, më shumë se 7800 shtëpi dhe 3 mijë biznese ishin përmbytur.
“Përmbytjet janë kërcënimi më i madh për Britaninë e Madhe nga ndryshimet klimaterike”, thonë ekspertët të cilët shtojnë se vendi ka përjetuar rritje të temperaturave me një gradë që nga vitet ’70. Niveli i deteve rreth vendit ishullor është rritur me 15 centimetra që nga nisja e shekullit të 20-të.
Ekspertët nuk parashikojnë nevojën e zhvendosjes së komuniteteve nga fushat që rrezikojnë përmbytje të mëdha gjatë këtij shekulli, mirëpo e vendosin theksin në domosdoshmërinë që rritja e temperaturave të ndalet.
“Eshtë e rëndësishme që konferenca e Parisit të dalë me sukses. Mund të jetë shumë më e lehtë për Britaninë të përballojë skenarin e rritjes së temperaturave me 2 gradë, sesa me katër”, thonë ekspertët.
Gjermania
Rreziku më i madh me të cilin përballet Gjermania është degradimi i ngadalshëm i pyjeve të saj, pasi i nxehti dhe thatësira ka prekur tokat e ulëta në veri.
Temperaturat në rritje mund të inkurajojnë shtimin e pemëve në toka më të larta që dikur ishin tepër të ftohta për pyllëzim, thonë ekspertët duke shtuar se, gjithsesi, në një mesatare, efektet negative të ndryshimeve të klimës janë shumë të mëdha.
Lloje të ndryshme drurësh janë në rrezik zhdukjeje pasi nuk i rezistojnë dot temperaturave të larta dhe thatësirës e rrënjët e disa të tjerave janë të cekëta për t’i rezistuar stuhive të forta.
Insektetet bëhen më të fuqishme me rritjen e temperaturave, me një rritje të popullsisë së tyre tre apo katër herë më shumë çdo vit. Insektet janë në gjendje të dëmtojnë pa kthim pyjet.
Franca
Parku natyror Camargue, në bregun e Mesdheut në juglindje të Francës është i famshëm për numrin e madh të bimëve dhe llojet e kafshëve, sikundër edhe për orizin dhe kënetat e kripura. Por, parku është në rrezik. Deti ka gjasa të zaptojë pjesën më të madhe të 6500 hektarëve të parkut që ndodhet në mbrojtjen e agjencive mjedisore.
Kompania që zotëronte kënetat e kripës nisi t’i shiste ato në vitin 2008 pasi rritja e nivelit të ujërave donte të thoshte se pellgjet po bëheshin shumë të vështira për t’u punuar, pavarësisht përdorimit të pompave elektrike dhe barrierave.
Ekspertët parashikojnë se 2 mijë hektarë të parkut do të përfundojnë sërish të shndërruar në këneta, me buajt dhe kuajt që kanë qenë banorë të vetëm të tyre tradicionalisht. Por, nuk mund të përcaktohet me saktësi ndikimi në park.
Deti Mesdhe
Deti Mesdhe është një det i ndryshëm nga ai që lagte brigjet e Europës 50 vjet më parë. Ujërat janë dy deri në tre gradë më të ngrohta. Shtresa e ujit të ngrohtë është më e thellë sesa më parë dhe ujërat rrinë të ngrohta në një periudhë më të gjatë të vitit.
Si rezultat, biologët detarë thonë se pothuajse 700 lloje që nuk jetonin më parë në këto ujëra, janë pikasur aty të ardhura nga vende të tjera. Të gjitha janë tropikale, dhe shumë kanë mbërritur nga Deti i Kuq përmes kanalit të Suezit. Nuk bëhet fjalë vetëm për lloje peshqish, por edhe për kandila deti e alga që po u shijon shtëpia e tyre e re.
“E kemi dëmtuar rëndë një burim që besonim se do të zgjaste përgjithmonë, por që nuk është kështu”, shprehen ekspertët. Ujërat e ngrohta janë lajm i keq për disa lloje koralesh e popullsish të peshqve që nuk u pëlqen nxehtësia.
Prania e peshkatarëve tradicionalë është një barometër I shëndetit të detit. Deti do të jetë i shëndetshëm derisa ata të jenë në të. Por, edhe ata po zhduken dhe kjo duhet të na shqetësojë shumë.
Përgatiti Juli Prifti – /tesheshi.com/