“Bota është në zgrip të një epoke post-perëndimore”, paralajmëron Konferenca e Mynihut, një institut me ndikim në Gjermani. “Disa nga kollonat më fundamentale të Perëndimit dhe të rendit ndërkombëtar liberal po dobësohen… dhe vullneti dhe aftësia e demokracive perëndimore për të formësuar çështjet ndërkombëtare e për të mbrojtur rendin me bazë zbatimin e ligjit po bien”, deklaroi Wolfgang Ischinger, ish-diplomat gjerman që tani drejton Konferencën e Mynihut për Sigurinë.
“Ne mund, në këtë mënyrë, të jemi në zgrip të një epoke post-Perëndimore, e atillë ku aktorët jo perëndimorë po u japin formë zhvillimeve ndërkombëtare”, shtoi ai, duke iu referuar vendeve si Kina, Rusia apo Turqia.
Paralajmërimet e Ischinger përfshihen në një studim të Konferencës së Mynihut për Sigurinë, publikuar së fundmi, në prah të simpoziumit të përvitshëm të institutit për sigurinë transatlantike, që mbahet këtë fundjavë.
Ai tha se nëse presidenti amerikan, Donald Trump do të ketë sukses në premtimin për të ndjekur “një politikë të jashtme më shumë njëpalëshe, ndoshta edhe nacionaliste”, kjo mund të jetë artikulimi i fundit të epokës së pas-Luftës së Dytë Botërore të solidaritetit perëndimor.
Studimi i Konferencës së Mynihut shton se nëse Trump do të bëjë marrëveshje me liderin rus, Vladimir Putin për të ardhmen e Ukrainës, kjo mund të ketë gjithashtu, domethënien e fundit të rendit ndërkombëtar bazuar tek ligji, për të folur më hapur.
“Një gjë e tillë mund të sinjalizojë epokën e re ku fuqitë e mëdha përcaktojnë fatin e më të voglave”, thuhet në studim.
Duke hedhur vështrimin tek lufta në Siri, në studim ngrihet pyetja se, në mungesë të lidershipit perëndimor: “Nëse ndodh genocid diku në botë në muajt e ardhshëm, a do të ndërhyjë dikush?”.
Trump është hedhur degë më degë në komentet e tij për NATO-n, duke thënë nga njëra anë se është e vjetëruar, e nga ana tjetër “shumë e rëndësishme”.
Përqindja e mbështetësve të Trump që beson se SHBA duhet të ulë angazhimin në NATO (24 për qind) ose të tërhiqet fare nga aleanca (13 për qind) formojnë një segment të madh të elektoratit të tij, sidoqoftë.
Në një trend më të gjerë, që Konferenca e Mynihut e lidh me stanjacionin e të ardhurave dhe frikën nga globalizimi, mbështetja publike për drejtuesit autoritaristë është rritur me rreth 10 për qind në Shtetet e Bashkuara në gati 20 vjetët e fundit. Shifra ka njohur rritje nga faktorë më të shumtë në disa pjesë të Europës, si në Rumani dhe në Spanjë, e madje, ka pasur rritje edhe në Gjermani.
Linja kryesore ndarëse në politikë kalon gjithnjë e më pak midis së majtës dhe së djathtës, e më shumë midis polit kozmopolitan liberal dhe polit populist (në disa raste edhe autoritarist e ksenofob)”, thuhet në studimin e Konferencës së Mynihut.
“Partitë populiste tashmë janë pjesë e qeverisë në pothuajse dhjetëra demokraci perëndimore. E madje edhe në vende ku populistët merrnin vetëm një përqindje shumë të vogël votash, ato shpesh ushtrojnë një ndikim përcaktues me anë të …. Presionit ndaj partive të rrymës për të përshtatur axhenda të ndryshme politike”.
Konferenca e Mynihut, gjithashtu, thotë se mbështetja publike për “rendin paralel ekonomik ndërkombëtar”, që simbolizohet nga Organizata Botërore e Tregtisë dhe nga traktatet tregtare shumëpalëshe, si Ceta mes BE e Kanadasë, apo TTIP mes BE-së dhe SHBA-së, po “zbehet”.
Konferenca e Mynihut gjithashtu, thotë se fushata e keqinformimit po ushqejnë këtë trend. Në raport vihet në dukje se propaganda ruse në Gjermani ka ndihmuar partinë populiste “Alternativa për Gjermaninë” të arrijë në 30 për qind mbështetje dhe se 31 për qind e votuesve të majtë gjermane tashmë kanë besim më shumë te Putin sesa tek kancelarja Angela Merkel.
Në raport, thuhet se kanali kryesor rus për propagandën e jashtme, RT, po tejkalon në shpenzime mediat më të mëdha ndërkombëtare të Francës e Gjermanisë, si “France Medias Monde” dhe “DW”, dhe se është shndërruar në një kanal edhe më shumë popullor sesa të dyja bashkë, në “YouTube”.
Raporti shton se media shtetëror kineze, CCTV, ka një buxhet shumë më të madh sesa RT, France Medias, DW dhe BBC të marra së bashku.
Raporti fajëson administratën Trump për përhapjen e informatave të rreme.
“Në qoftë se politikanët, për shembull, gënjejnë për madhësinë e turmave, thonë në mënyrë demonstrative gjëra të gabuara në lidhje me pozicione të mbajtura më parë prej tyre, dhe sugjerojnë se mashtrimet janë thjesht “fakte alternative”, a mundet që qytetarët dhe aleatët t’u besojnë atyre?”, thuhet në studim, duke iu referuar gënjeshtrave të zëdhënësit të Trump për madhësinë e turmës në inagurimin e tij.
“Kërcënimi më kryesor është se besimi i qytetarëve tek media dhe politikanët do të gërryhet akoma më shumë, duke krijuar një cikël vicioz që cënon demokracinë liberale.
Regrexit
Konferenca e Mynihut vë në dukje se BE ka vuajtur gjithashtu një goditje të fortë ndaj besueshmërisë së tij për shkak të votës Brexit, por se po përpiqet të kundërgodasë përmes integrimit më të thellë për çështje ekonomike, politikat e emigracionit dhe sigurisë.
Në një moment ku jepen lajme të mira për BE-në, thuhet se Brexit ka nxitur ndjesinë e një “Regrexit”.
Duke cituar sondazhe të kryera pas referendumit, në studim thuhet se niveli i miratimit të BE-së verën e kaluar u rrit në mbi 60 për qind në vende si Polonia, Hungaria, Suedia, Gjermania, Greqia, Italia, Spanja e po ashtu edhe në vetë Britaninë e Madhe.
Numri i njerëzve që dëshirojnë të largohen nga BE është rrudhur gjithashtu në këto vende.
“Nëse BE dëshiron të provojë veten dhe t’u vërtetojë skeptikëve brenda dhe jashtë Europës se është në gjendje të jetë një ‘superfuqi që beson tek multilaterizmi dhe bashkëpunimi’ ashtu si edhe e përcaktoi së fundmi kryediplomatja europiane, Federika Mogherini, një strategji e përbashkët në politikën e jashtme mbështetur nga një fuqi e mjaftueshme ushtarake, shihet gjerësisht si një domosdoshmëri strategjike”, thuhet në studimin e Konferencës së Mynihut.
“Vendet e BE-së do të duhet të lënë mënjanë diferencat mes tyre, përfshirë edhe shqetësimin se planet e reja do të largojnë burimet nga NATO… Kur, në mos sot, duhet që paraqitja e Brukselit në botë të jetë në krye të menysë”, thuhet në raport.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/