Dyshja në pushtet në Maqedoninë Veriore, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, shpallen Stevo Pendarovksin si kandidat të përbashkët për president të vendit, për zgjedhjet e pritshme të prillit.
“Të nderuar qytetarë u bashkuam sërish të gjithë, maqedonas, shqiptarë, serbë, turq, vllahë, romë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, dallimet qëndrojnë pas një kandidati. Të gjithë qëndrojmë pas Stevo Pendarovskit, kandidat mbipartiak, evropian, mik i të gjithëve dhe president i të gjithëve. Le të rrojë shoqëria jonë e bashkuar, le të rrojë Maqedonia e Veriut me presidentin tonë të ardhshëm Stevo Pendarovski”, deklaroi me pathos kryeministri Zaev.
Po kush është Stevo Pendarovski?
Ai ka lindur më 3 prill, 1963 në Shkup, e njihet si politikan, profesor dhe analist.
Pas përfundimit të studimeve të larta, Pendarovski është emëruar udhëheqës i sektorit për analitikë në Ministrinë e Brendshme, e paralel ka ushtruar zëdhënësin e MPB-së.
Nga viti 2001 është emëruar për shef i Sigurisë Kombëtare dhe këshilltar për Politikë të Jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit.
Stevo Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti me gjithsej 398.077 vota të fituara.
Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, ai ishte kryesuesi i listës së LSDM-së dhe koalicionit në njësinë zgjedhore numër një, nga ku edhe fitoi mandatin e tij si deputet.
Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqje nga funksioni i deputetit pasi u emërua në funksioni aktual të tij si koordinator kombëtar për përgatitje të Maqedonisë për anëtarësim në NATO.
Me Pendarkovskin-president, Zaev kërkon të marrë dhe “kështjellën” e fundit të mbetur të VMRO-së, atë që e mban ende Gjeorgje Ivanov. /tesheshi.com/