Nga kryeministri Rama vijnë sinjale se pos Erion Veliajt, tjetër emër ku ai po investohet si trashëgimtar politik i tij në PS është Belinda Balluku, aktualisht ministre Transportesh, e cila pritet të jetë dhe deputete në shtator.
Balluku njihet për potencialin e saj teknokrat, por së fundit po tenton dhe sprovat e forta politike.
Një ish-zyrtare potente e Bashkisë së Tiranës në epokën “Rama”, ajo nuk qe në skakierën e parë të të përzgjedhurve të tij në kushtet e marrjes në dorë të qeverisjes në 2013-n.
Por në mandatin e dytë, pasi punoi fort në strukturimin e Air Albania-s, Balluku, nga drejtuese e Albcontroll-it kaloi në llogoren e parë të qeverisjes si ministre, duke marrë në dorë dikasterin delikat e përcaktues në performancën qeverisëse, atë të Transporteve dhe Energjitikës.
Së fundi, Balluku ka marrë pjesë në një takim në nivel kryeministrash, më saktë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, organizuar nga Kancelari Kurz.
Po në kuadër të kësaj konference, ajo së fundi njofton një takim të saj me Zoran Zaev, duke shkruar:
“Gjatë takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Vjenë, pata mundësinë për të diskutuar nga afër bashkëpunimin tonë rajonal me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev Jetësimi i korridorit të VIII është projekti më ambicioz mes vendeve tona dhe ne kemi një plan të qartë për zbatimin e tij”.
Kështu, pozicionimi i fortë politik i znj.Balluku në këtë rast, është sinjali se kush janë ato potenciale te të cilët Rama po projekton trashëgiminë politike. /tesheshi.com/