Nga Muhittin Ataman, Daily Sabah
Pas sulmeve të 7 tetorit 2023 të organizuara nga Hamasi në Izrael dhe reagimit të ashpër të këtij të fundit përmes krimeve gjenocidale, sjellja e fuqive botërore perëndimore, të cilat për dekada të tëra kanë ndërhyrë në punët e brendshme të kombeve të tjera në emër të modernizmit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, tregon se ato janë shumë të varura nga lobi pro-izraelit.
Shumica e shteteve perëndimore të ashtuquajtura “liberale”, i kanë braktisur parimet e tyre të vjetra për hir të interesave izraelite. Duke i mobilizuar të gjitha burimet e tyre, ato kanë mbështetur regjimet autoritare në rajon, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe duke kryer krime lufte.
Nga kolonizimi i kontinentit afrikan, deri tek pushtimi i shteteve si Afganistani dhe Iraku, që të gjitha këto ndërhyrje u bënë gjoja në emër të modernizmit dhe liberalizmit. E tillë ka qenë për dekada retorika dominuese e shteteve perëndimore. Por kohët e fundit, ky diskurs politik është kritikuar në mbarë botën.
Megjithatë, politikat agresive izraelite, sulmet e tij të fundit gjenocidale kundër palestinezëve të pafajshëm, dhe mbështetja e pakushtëzuar dhe e vazhdueshme perëndimore ndaj politikave izraelite, e kanë demaskuar hipokrizinë e vendeve perëndimore.
Zhvillimet e fundit në Palestinë kanë treguar se fuqitë perëndimore kanë qenë kryesisht të varura nga forcat pro-izraelite. Duke pranuar të humbasin terren në shumë rajone dhe të paguajnë koston për shkak të mbështetjes së Izraelit, ato vazhdojnë me dëshirë që të sakrifikojnë vlerat dhe parimet e tyre për hir të Izraelit.
Para së gjithash, Izraeli ka vendosur gozhdën e fundit në arkivolin e shtetit-komb. Në vitin 2018, parlamenti izraelit miratoi të ashtuquajturin “projektligj të shtetit-komb”. Sipas tij, Izraeli nuk është një hapësirë territoriale e shtetit-komb, por shteti i popullit hebre, kudo që ai jeton.
Dhe në bazë të tij, Izraeli nisi të vendoste zyrtarisht një regjim aparteidi duke shtypur të drejtat e qytetarëve jo hebrenj. Sipas një neni të projektligjit “e drejta për të ushtruar vetëvendosjen kombëtare në shtetin e Izraelit, është unike për popullin hebre”.
Ndonëse ky projektligj është një devijim i qartë nga sistemi vestfalian, dhe ka një efekt shkatërrues mbi sistemin aktual ndërkombëtar, vendet perëndimore as që e kritikuan qoftë edhe formalisht Izraelin për miratimin e këtij ligji.
Së dyti, vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, e kanë refuzuar zbatimin e rezolutave të pranuara nga institucionet e Kombeve të Bashkuara. Vendet perëndimore ose përdorin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe e pengojnë këtë të fundit të marrë ndonjë vendim anti-izraelit ose pengojnë zbatimin e vendimeve.
Vendet e mëdha perëndimore, kanë kundërshtuar vendimet e marra nga organizatat ndërkombëtare të themeluara nga perëndimi, përfshirë OKB-në. Ato kanë mbetur indiferente ndaj deklaratës së Izraelit se Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) është një organizatë terroriste. Izraeli e ka goditur vazhdimisht UNRWA-n në Palestinë, duke përfshirë kampet dhe shkollat e menaxhuara prej saj.
Së treti, për dekada vendet perëndimore kanë qëndruar kryesisht indiferente ndaj pushtimit të tokave arabe nga Izraeli. Izraeli jo vetëm që ka pushtuar tokat palestineze, por edhe disa pjesë të territoreve libaneze dhe siriane. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, miratoi rezoluta që i kërkonin Izraelit të tërhiqej nga territoret e pushtuara, por vendet perëndimore kanë filluar që ta njohin zyrtarisht pushtimin.
Për shembull, qeveria amerikane njohu zyrtarisht Lartësitë Golan, të cilat janë nën pushtim që nga viti 1967, si pjesë e Izraelit. Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i kanë hapur rrugën fuqive të tjera që të ndjekin të njëjtën rrugë dhe të pushtojnë territoret që u përkasin shteteve të tjera. Prandaj, vendet perëndimore nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë pushtimin e ndonjë territori nga asnjë vend.
Së katërti, shumica e qeverive perëndimore i kanë dhënë mbështetjen maksimale qeverisë së Netanyahut për të kryer gjenocidin në Palestinë. Duke mbështetur krimet e gjenocidit, qeveritë perëndimore kanë filluar të zemërojnë qytetarët e tyre, gjë që po shkakton polarizim në shoqëritë e tyre.
Grupimet pro të drejtave të njeriut në vendet perëndimore, sidomos të rinjtë, kanë kritikuar politikat e qeverive të tyre. Ishte jo pak ironike kur Netanyahu akuzoi si “idiotë të dobishëm të Iranit” popullin amerikan, i cili protestoi kundër gjenocidit izraelit në kampuset universitare dhe në qendrat e qyteteve, teksa anëtarët e Kongresit e duartrokisnin. Mjerisht, zyrtarët amerikanë nuk mundën që ta kundërshtonin më forcë këtë pretendim.
Së pesti, ata që i njohin parimet kryesore të sistemit politik amerikan, e konsiderojnë normale kur anëtarët e Kongresit të SHBA-së i japin mbështetje të pakushtëzuar Izraelit, pasi ata janë kryesisht të varur nga financimi i lobit hebre dhe pro-izraelit. Prandaj, kanë frikë edhe të ngurrojnë të mbështesin politikat izraelite.
Po ashtu, është ironike të shohësh se si segmente të mëdha të shoqërisë amerikane kundërshtojnë politikat e Netanyahut, ndërsa shumica e Kongresit mbështet ende politikat e tij gjenocidale. Për shembull, asnjë kandidat presidencial, demokrat dhe republikan, nuk guxon që të kritikojë mizoritë e ushtrisë izraelite në nëntë muajt e fundit në Gaza.
Pra, duke ndjekur politika të pakushtëzuara dhe të vazhdueshme pro-izraelite, elitat amerikane kanë filluar që të distancohen nga vullneti i popullit të tyre. Dhe kjo do të ketë pasoja negative në sistemin politik amerikan në planin afatgjatë, pasi shumica e amerikanëve por edhe e popujve të vendeve të tjera perëndimore, janë në përgjithësi të vetëdijshëm mbi atë që po ndodh në Palestinë.
Edhe për mediat kryesore, është bërë shumë më e vështirë të mbështesin narrativën pro-izraelite. Platformat alternative, veçanërisht ato të mediave sociale jo-perëndimore, ofrojnë një informacion neutral në lidhje me mizoritë izraelite në Palestinë.
Në përgjithësi, fuqitë globale perëndimore janë në gjendje që të ndikojnë dhe ndërhyjnë në politikën e brendshme të shumicës së shteteve joperëndimore. Megjithatë, ato nuk janë në gjendje t’i rezistojnë dhe kundërshtojnë çdo lloj kërkese të izraelitëve.
Vendet e mëdha perëndimore, i kanë dhënë përparësi interesave kombëtare të Izraelit mbi interesat e tyre kombëtare, sepse ato janë të gatshme të mbulojnë kostot e shkaktuara nga mizoritë e ushtrisë izraelite në Palestinë. Prandaj, nuk është aspak e tepruar të pretendohet se shumica e qeverive perëndimore janë marrë peng nga qarqet e fuqisë pro-izraelite.
Duket se qeveritë perëndimore janë të gatshme të paguajnë çdo lloj çmimi për të mirën e Izraelit. Kështu, ato vazhdojnë të investojnë në politikën e ushtrimit të fuqisë brutale nga Izraeli, dhe t’i hapin rrugën një lufte sistematike.
Shënim: Muhittin Ataman, profesor në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë, Turqi.