Kur të gjithë prisnin që Barcelona të bënte një tjetër përmbysje, të ngjashme me atë ndaj PSG-së, apo më e pakta t’i afrohej diçkaje të tillë, ngjau krejt e kundërta.
Në “Camp Nou” pati një mbrëmje të bezdisshme, me lojë të venitur nga vendasit, me një mungesë të pakuptueshme të aftësisë krijuese.
Nuk ndodhte që prej gjysmëfinaleve të sezonit 2012-2013 që Barcelona të mos shënonte asnjë gol në dy prej takimeve me eliminim të Champions League-s.
Treshja sulmuese ishte krejt e çorientuar, mesfushës i mungonte vizioni i zakonshëm; 0-0 ishte pikërisht rezultati që i shkonte për shtat kësaj ndeshjeje.
Luis Enrique fajësoi për daljen nga gara gabimet e bëra në ndeshjen në Torino, posaçërisht në pjesën e parë.
I duhet dhënë haku gjithsesi Juventusit për atë paraqitje të patëmetë në takimin e kësaj të mërkure, çka e bën atë një prej pretendentëve tani për trofeun.
Nëse në Barcelona munguan tërësisht golat, nuk ndodhi kështu në “Stade Louis II” të Monakos, ku skuadra vendase fitoi për të dytën herë brenda pak ditësh ndaj Borusias së Dortmundit.
Fitorja 3-1 e çoi Monakon për herë të katërt në historinë e saj në gjysmëfinalet e Champions League-s.
Për Borusian e Dortmundit, kjo ishte humbja e dytë pas asaj 2-3 në sfidën e parë. Gjermanët treguan rishtas mungesë përqendrimi në fushë. I çuditshëm fakti se takimi pati përsëri probleme, pasi u shty me pesë minuta për vonesë të autobusit të gjermanëve për shkak të trafikut të rënduar.
Shorti i gjysmëfinaleve të Champions League-s mes Realit të Madridit, Atletikos së Madridit, Juventusit dhe Monakos do të hidhet nesër në Nion të Zvicrës. Nuk do të ketë asnjë kufizim në të, që do të thotë se është e mundur të ketë dhe një përplasje derbi të skuadrave madrilene.
Takimet e para gjysmëfinale do të luhen më 2 dhe 3 maj; ato të kthimit u përkasin datave 9 dhe 10 maj. /tesheshi.com/