Nga Blendi Gashi
Familja shqiptare prej vitesh nuk është më ajo që kemi njohur. Struktura, marrëdhëniet, por dhe qasja mbi të ka ndryshuar. E kaluar tashmë është familja me gjysh e gjyshe, kushërinj e kushërira, ndërsa e sodit përbëhet vetëm nga prindërit dhe fëmijët.
Familjet shqiptare, mes tradicionales dhe modernes
Sociologia nga Shqipëria, Anisa Agastra, thotë se me kalimin e viteve familja shqiptare ka pësuar transformime të ndryshme sa i përket mentalitetit, mënyrës së të jetuarit, rregullave dhe parimeve mbi të cilat ajo formohet dhe funksionon.
Ajo thotë se në periudhën komuniste familja, ashtu sikundër e gjithë shoqëria shqiptare e asaj kohe, udhëhiqej nga ligjet e forta komuniste.
“Familja qe e tipit bërthamë (burri, gruaja dhe fëmijët) por që ruheshin dhe mbaheshin lidhjet farefisnore, sidomos në realizimin e martesave tipike me mblesëri apo të kontolluara nga fisi, familja dhe sistemi.
Në ditët e sotme, forma dhe mënyra e krijimit të familjes ka ndryshuar. Sot familja vlerësohet si një grup shoqëror që karakterizohet nga banesa e përbashkët, nga kooperimi ekonomik dhe nga riprodhimi seksual.
Familjet shqiptare sot janë duke kaluar një periudhë të fortë tranzicioni vlerash, parimesh, normash të të jetuarit. Ato gjenden mes tradicionales dhe modernes duke pësuar kriza të shumëllojshme që kanë agravuar shpesh drejt dhunës, agresionit, krimeve brenda familjes, stresit, nervozizmit, depresionit, që ka ndikuar dhe në rritjen e fëmijëve”, ka thënë ajo për tesheshi.com.
Sociologia Agastra më tej thotë se familjet shqiptare ende nuk e kanë kaluar fazën e patriarkalitetit, rolit të fuqishëm të babait ndaj familjes, gruas e fëmijëve, mendësisë së të mbajturit brenda mureve të shpisë të vajzave si pasojë e ruajtjes së vlerave të tyre.
Sipas saj, këto ndodhin më së shumti në familjet e zonave rurale por janë prezente edhe në ato urbane, pasi prindërit shqiptarë ende kërkojnë të mbajnë nën kontroll fëmijët e tyre ashtu sikundër bashkëshortët tentojnë të diktojnë jetën e gruas.
Agastra mendon se në të ardhmen familjet shqiptare do të vazhdojnë të pësojnë kriza të shumta në marrëdhëniet burrë-grua dhe prind-fëmijë si pasojë e tranzicionit dhe ndikimit të vlerave dhe kulturës perëndimore.
“Ato do të jenë në ndryshim të vazhdueshëm drejt individualizmit dhe respektimit të të drejtave individuale në raport me ato të grupit të familjes por gjithnjë me një kufi të caktuar, që nuk do i lerë të preken nga krisjet e mëdha që po pësojnë sot familjet perëndimore në Evropë e në Amerikë”, ka deklaruar sociologia Agastra.
Disa nga ndryshimet e mëdha dikur dhe sot në familjen shqiptare
Sociologu nga Kosova, Ferdi Kamberi, thotë se familja shqiptare, sikurse shumë familje të vendeve të rajonit dhe më gjerë, kanë bërë shumë transformime dhe mund të thuhet se prej një sistemi më shumë patriarkal është duke shkuar drejt një sistemi të egalitarizmit (barazie gjinore të familjes), ku secili individ ka role dhe përgjegjësi.
“Përderisa, dikur vetëm burri (i zoti shtëpisë) është kujdesur për familje dhe shtëpi, sot nuk mund të themi se është e njëjta gjë sepse ndryshimet që kanë ardhur si rezultat i procesit të globalizimit dhe gërshetimit të globales me lokalen, si dhe faktorë të tjerë mund të themi se kanë ndikuar që edhe gruaja të kujdeset për familje dhe shtëpi, apo ndoshta edhe të ndërrohen rolet gjinore, me të vetmin qëllim që familja të jetë sa më funksionale dhe modern”, thotë Kamberi, për portalin tesheshi.com.
Ai më tej shton se ndryshimet e familjes shqiptare vërehen në përgjithësi dhe ka disa faktorë që kanë ndikuar në këto ndryshime.
Sipas tij faktorët kryesor tek rasti i Kosovës janë është lufta e zhvilluar, lëvizja e popullsisë imigrimi në relacionet fshat – qytet dhe adoptimi me kulturën dhe normat shoqërore të reja, procesi i globalizimit i cili si proces me një dorë që jep dhe me tjetrën, periudha e tranzicionit në Kosovë.
“Disa nga ndryshimet e mëdha dikur dhe sot në familjen shqiptare janë: Dikur në familjen tradicionale jetesa ishte e përbashkët, ruajtje e traditave, familja ishte me fëmijë shumë, kryefamiljari ishte autoritet kryesor, hyrja në martesë në moshë të re, kishte femra më pak të shkolluara, dasma zgjaste më shumë. Kurse, në ditët e sotit familjet janë më të vogla dhe përbëhen nga prindërit dhe fëmijët, barazia në familje është më e madhe, të dy partnerët autoritetet kryesore, hyrje në martesë në moshë të më vonshme, divorce më shumë, femra më shumë të shkolluara, zvogëlim i dasmës, tendencë për të zvogëluar zakonet etj. Pra, këto janë disa nga dallimet esenciale të familjes tradicionale dhe asaj moderne. Megjithëse, familja moderne ka përparësi në shumë aspekte, prapë se prapë mund të themi se edhe pika të errëta të cilat ndikojnë edhe në familje siç është rasti i divorceve, pastaj humbja e autoritet të prindërve, si dhe elemente të tjera”, thotë sociologu Kamberi./tesheshi.com/