Autoritetet turke duhet t’i referoheshin një thënieje të Kim Mehmetit para se të vendosnin që t’i drejtoheshin Prishtinës zyrtare me një notë proteste ndaj gazetarit Berat Buzhala.
“Nuk merrem me Buzhala e budalla!”, thënë prej shkrimtarit dhe publicistit të njohur ndër troje shqiptare, mund të ishte një referencë për t’u vetëfrenuar ndaj një akti që tashmë e ka shndërruar opinionin e ndjeshëm kosovar, të atillë që merr flakë për pak gjë, në një tenxhere që zien që prej orës kur mediat e huaja publikuan faktin e një kërkese të ambasadës turke në Prishtinë për ta vënë para ligjit Buzhalën pas një statusi në facebook në lidhje me grushtin e shtetit.
Ku ka gabuar ambasada?
Në fakt, akti i notës së protestës së autoriteteve diplomatike turke, ndërmarrë në emër të shtetit të tyre, nuk është diçka e pazakontë. Këto janë praktika normale në të tilla raste, edhe pse ngjajnë si provokuese e nxisin debat. Të njëjtën gjë do bënte dhe Kosova nëse ndonjë gazetar diku, në ndonjë vend, do çaprashiste, fjala vjen, në lidhje me një ngjarje me peshë delikate në realitetin e saj.
Në rastin konkret, Turqia veç sa i kujton Kosovës se në bazë të ligjit iks, qytetari i saj duhet të përgjigjet për mesazhin e përcjellë. Më pas u takon autoriteteve gjyqësore kosovare që ta procedojnë ose jo gazetarin Buzhala, sipas ligjit të referuar nga jashtë.
Pra, nuk ka asnjë ndërhyrje në punët e brendshme, dhe publiku kosovar, ajo pjesë e tij që po vuan këto orë futjen e hundëve të Turqisë në punët e Kosovës, duhet që së paku ta peshojë çështjen me të njëjtën njësi matëse edhe kur është fjala për “të tjera shtete e politika të huaja” që vendosin për çdo gjë në Kosovë e mbi jetët e tyre, duke shkelur dhe ligjet vendase mbi të gjitha, pse jo, dhe Kushtetutën.
Gabimi i autoriteteve turke, siç u cek në fillim, është vetëm një moskëshillim me Kimin, me thënien e tij, që ka në qendër Buzhalën. Sepse, që këtej e tutje, me këtë akt, ata ia kanë rritur vlerën gazetarit në fjalë, për ta bërë atë çka thotë, sado pa vlerë dhe krejt ordinere, në një referencë për një pjesë të publikut, i cili tashmë do shohë tek dhe ai “Skënderbeun modern”, që ndeshet me turkun në hapësira virtuale, jo me shpatë, por me fjalë.
Dhe kjo ndodh lehtësisht në shoqëri me krizë të thellë vlerash, ku çdo askush, duke shfrytëzuar ca rrethana, bëhet dikushi!
Ndodh kjo kur një shoqërie i humb dhe ai sensitet pozitiv që përbën më pas një bazë të shëndetshme kriteresh për t’i vënë notën e duhur një individi, asaj çfarë ai përfaqëson në të vërtetë, pozitivisht apo negativisht.
Ndaluni për pak çaste dhe vlerësojeni me tjetër kut figurën e Buzhalës, sipas produktit që i përcjell shoqërisë, shërbimeve që i ofron.
Fillimisht, le të pyesim: Për ç’aftësi, vlera a virtyte të rralla, Berat Buzhala renditet tek “emrat njëjës” të shoqërisë kosovare?!
A posedon ai një karakter të atillë, një shpirtit human apo vizion atdhetar, prej të cilave shoqëria, njerëzit, atdheu mbi të gjitha, ka hajër?!
A përbën emri i tij shpërfaqjen e një dhuntie të veçantë, prej së cilës njerëzit kanë dobi, ndihen mirë dhe i ofrojnë respekt e dashuri?!
A posedon ai në prodhimtarinë e tij, gojore apo të shkruar, fjalë të arta, këshilla të vyera, postulate të mençura, me vlerë për sot a për të ardhmen?!
Mjaft të vëresh mesazhin në FB, për të cilin janë shqetësuar autoritet turke, se i ç’lloji ordiner është, i tillë që mund ta shkruante çdo mendjelehtë, që hapësira virtuale e facebook-ut i ka me shumicë, për të vënë kujën se kush “qeveris” sot nëpërmjet pushtetit të katërt.
Dhe sërish pyesim: Cila është puna më e bukur që ka bërë Berat Buzhala sa është ende në jetë, për të cilën shoqëria duhet t`i jetë mirënjohës?
Përpiquni t’ju jepni përgjigje këtyre pyetjeve për të kuptuar jo vlerën reale të personit në fjalë, por, fatkeqësisht, degradimin tonë si shoqëri, të çarat e saj nga humbja e çdo vlere si masë mbrojtëse, nëpërmjet së cilave kanë bubrruar, derisa e kanë lartuar veten, tipologji që në kushte të tjera maksimumi do ishin çera lagjesh, e që në fakt janë çera mediash.
Dhe është e pafalshme për një shtet si Turqia që t’ia ngrejë vlerën në bursë një individi i cili qëllimisht ka zgjedhur të gricet për t’u bërë i famshëm.
Dhe ambasada turke bëri gabimin e madh duke i dhënë një dorë të mirë kësaj prirjeje delikuente të një njeriu që prej sot do i rrisë akoma më shumë lavdinë vetes në një vend ku lavdia, me shumë pak përjashtime, shkon për horrat.
P.S. Berat Buzhala dhe të tjerë të sojit të tyre janë ata që sot mbushin panelet e studiove të debateve televizive. Quhen ndryshe dhe analistë. Zakonisht këmbë mbi këmbë, me një tangërllëk tipik provincial, marrin poza të tejditurish, ndërkohë që llapashiten në një moçalishte mendimi, me një boshësi karakteriale, sa vetëm koha e çmendur që jetojmë mund t’i japë përgjigje pyetjes ulëritëse se përse pikërisht ata duhet të jenë aty.
Pra, thjesht se janë produkt i një kohe të çmendur!
Kur ndodhen aty, nuk e kanë për gjë që të shesin moral. Por shikojini portalet që drejtojnë, që po shndërrohen dhe në pasqyra reale të brendisë së tyre, asaj që nuk shihet me sy, por që kapet me shenja, se si vjedhin shkrime lart e poshtë, krejt kaçakshe dhe krejt paturpësisht, e se si lapërdharia gazetareske të merr me shpulla sa herë u hedh sytë. /tesheshi.com/