Teksa një person i stafit të portalit ‘tesheshi.com’ po bëhej gati për të udhëtuar drejt fshatit serb Llokve të komunës së Zveçanit në Veri, me misionin thjesht human për t`i dhuruar një dhi plakës serbe Milenija Pavlloviq, një reagim i ashpër ka ardhur prej një bashkëfshtari të saj, të ashtëquajtur kryetar i fshatit, që nuk pranon të shkelim aty.
“Nuk jeni të mirëseardhur, nuk ju duam në fshat, nuk kemi nevojë për asnjë përkujdesje nga ju gazetarët”, ka thënë ai, pa mundur dot t`i mësohet as emri. Këtë reagim, serbi në fjalë ia ka përcjellë gjatë një komunikimi në distancë korrespondentit të portalit ‘tesheshi.com’ në Mitrovicë.
“Ne marrim pensionet dhe ndihmat sociale nga Serbia, pra nuk keni nevojë ju gazetarët që të interesoheni për plakën Milenija Pavlloviq”, ka thënë pra serbi i fshatit Llokve që veten e quante kryetar të fshatit.
“Milenijes ia blejmë ne dhinë e jo ju gazetarët”, është shprehur ai i xhindosur.
Në pyetjen e portalit ‘tesheshi.com’ se a ka të bëjë kjo me faktin e të qenit gazetarë shqiptarë, ai ka theksuar se: “jo, nuk kam të bëjë me këtë, por nuk duam që të kemi punë fare me gazetarët”.
Shpjegim redaksional
Për çdo shtetas serb që do mundet të lexoje këto rreshta, duam të shpjegojmë se qëllimi i shkrimit me në qendër fshatin Llokve e banoren e saj të moshuar Milenija Pavlloviq (http://localhost/tesheshi/millejina-pavloviq-plaka-serbe-qe-lutet-edhe-shqip-per-ti-dhuruar-nje-dhi/), ka qenë vetëm ndërgjegjësimi i autoriteteve shtetërore përkatëse për t`u kujtuar për ato banorë të atyshëm, qofshin dhe serbë. Qëllimi nuk ka qënë përgatitja e ndonjë rengu për të ardhur deri në këtë pikë sa për t`i sfiduar serbët në pikëpamje nacionale, me aktin human të dhurimit të një dhie për bashkëkombasen e tyre. Madje ne do ishim mjaft të kënaqur nëse shkrimi është bërë shkak vërtet që plakës së gjorë t`i jepet një dhi, qoftë dhe nga brenda fshatit apo komunitetit të saj nacional.
Gadishmëria e shqiptarëve për t`i dhuruar asaj një dhi a ndonjë tjetërlloj bagëtie, është shpalosur në profilin e hoxhë Ahmed Kalasë në FB, pas postimit të këtij të fundit të shkrimit me plakën serbe që lutej për një dhi. Kanë qenë me dhjetra reagime në inbox-in e tij ku shumëkush është ofruar me gjënë e gjallë-dhuratë. Dhe këtu nuk ka asnjë lloj diversioni. Dhuruesit as nuk kanë dashur të identifikohen në rast se dhurata e tyre do përfundonte tek plaka Milenija Pavlloviq.
Por nisur nga fjalët e serbit se Milenija Pavlloviqit do t`i jepet një dhi nga vetë ata, pa qenë nevoja që t`ia dhurojë një media shqiptare, kjo na mjafton për t`u ndjerë mirë që ‘tesheshi.com’ ka ofruar një lloj gazetarie humane, edhe kundrejt halleve të një komuniteti, pjesëtarë të së cilës kanë kryer krime ndaj shqiptarëve e që u vlon në gjoks çdo çast urrejtja ndaj tyre.
Në vetëm druhemi se ky lloj irritimi mos i çon ata drejt ndëshkimit të plakës së gjorë si bashkëpunuese më shqiptarët; jo thjesht duke e lënë pa dhi, por dhe duke i dhënë ndonjë hu në ditë pleqërie. Lutemi që kjo mos ndodhë. /tesheshi.com/