Presidenti Nishani i ka dhënë një shtysë debatit të provokuar pas dekorimit prej tij të një numri ballistësh të pushkatuar nga Mehmet Shehu. Kreu i shtetit ka sulmuar hapur të majtën në pushtet duke e quajtur atë një nostalgjike të së djeshmes:
“Shtimi i zërave nostaligjikë, shpeshherë dhe nga politikanë në mbrojtje të hapur të krimeve të kryera nga komunizmi dhe sigurimi i shtetit, duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Nishani, që më pas i është përveshur nominalisht dhe Ramës, edhe pse pa ia përmendur emrin, duke aluduar për Bunk’Artin dhe bunkerin tek Ministria e Rendit
“Simbolet e diktaturës dhe regjimit komunist, po rikthehen fatkeqësisht dukshëm e shpesh të kamufluara me elementë artistikë”, deklaroi kreu i shtetit.
Këto deklarime, kreu i shtetit i bëri gjatë një aktiviteti kushtuar “Tetorit gjerman”, të cilin, si atë e si përplasjen me të majtën, tentoi ta lidhë me çështjen e (mos)hapjes së dosjeve.
“Me keqardhje konstatoj se pas 26 vitesh modeli gjerman, Shqipëria nuk është ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Dosjet se sigurimit të shtetit në Shqipëri nuk janë ende të aksesueshme dhe lustracioni as që merret në konsideratë.
Klasa politike shqiptare sot ka për detyrë të marrë seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit dhe respektimin e rezolutave të Këshillit të Europës të viteve 1996-2006”, tha presidenti Nishani.
Kjo është e disata herë kur ai përplaset me mazhorancën, si një president që qartazi ka treguar se i qëndron frymës politike të PD-së, partisë prej nga vjen, edhe pse në pozitën e kreut të shtetit. /tesheshi.com/