Kampioni botëror i Formula 1, Michael Schumacher është transferuar në një spital të Parisit për “trajtime sekrete”, njofton gazeta franceze Le Parisien.
Schumacher, i cili mbushi 50 vjeç në janar, nuk është parë asnjëherë në publik qysh prej aksidentit që pati në Alpet Franceze pesë vite më parë. Në këtë aksident, ai pësoi lëndime të rënda në kokë dhe ka qenë në koma për disa muaj rresht.
Sipas burimeve të Le Parisien, Schumacher është dërguar në spitalin Pompidou në periferi të Parisit, ku thuhet se do t’i nënshtrohet një trajtimi me “transfuzion qelizash”, një zbulim i fjalës së fundit. Në janar, familja e tij kishte dhënë një lajm “të shkurtër” ku tregon se ai gjendej në duart e ekspertëve më të mirë.
Schumacher mbetet si drejtuesi më i suksesshëm i makinave të garave, me një rekord prej 91 fitoresh në Grand Prix. /tesheshi.com/