I pari kryebashkiak musliman i Londrës i ka dhënë mbështetje kandidaturës së Hillary Clinton-it në të parën vizitë të tij në SHBA.
Gjatë një ndalese në Çikago, pas një fjale përpara më shumë se 250 akademikëve, diplomatëve dhe afaristëve, Sadiq Khan u ka deklaruar gazetarëve se është një admirues i madh i ish-sekretares amerikane të Shtetit, e se shpresonte që ajo të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.
“Ajo është argumentueshëm kandidatja më me përvojë për të garuar për të qenë presidente,” është raportuar të ketë thënë ai.
“Si baba i dy vajzave, mendoj se është fenomenal mesazhi që dërgohet kur politikani më i fuqishëm i botës është një femër, e shpresoj që ajo të fitojë.”
Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Çikagos për Çështjet Globale, Khan nuk e ka zënë në gojë Donald Trump-in, por u është kundërvënë qëndrimeve të tij duke u shprehur kësisoj, “Mendoj se të sugjerosh disi se muslimanët nuk janë të mirëpritur në SHBA, se të sugjerosh disi se të qenit musliman nuk është i pajtueshëm me të qenit perëndimor, bën padashur lojën e DAESH-it, apo të ashtuquajturit ISIS.” /tesheshi.com/