16 tetorin, ditën e lindjes së ish-liderit komunist shqiptar Enver Hoxha, ithtarët e tij në Ferizaj të Kosovës, e kanë kremtuar dhe me vënien e emrit të tij një rruge në këtë qytet. Inisiatorë të këtij veprimi kanë qenë drejtues të një organizate të quajtur Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës së Enver Hoxhës që ka për drejtues Remzi Hasanin. Ky i fundit nuk i kurseu as këtë ditë lëvdatat për ish-udhëheqësin komunist, duke thënë se ai çliroi dhe emancipoi një popull.
Pak vite më parë, kjo organizatë do të digjte në publik librin monografik të Blendi Fevziut kushtuar figurës së Enver Hoxhës, jetës dhe karrierës së tij politike, duke e konsideruar atë përhapës të së pavërtetave si dhe denigrues.
Siç dihet, një pjesë e shoqërisë kosovare e mbajnë ende si idhull Enver Hoxhën, po ashtu si në Shqipëri. Dhe Ferizaji, është ndër qytetet që më së shumti njihet për frymën enveriste ende aktive. /tesheshi.com/