Ngritja e një muri në veri të Mitrovicës ka alarmuar qeverinë e Kosovës. Për këtë, ministrja për Dialog, Edita Tahiri zhvilloi një mbledhje jashtë rendit rreth Marrëveshjes së Brukselit për heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit dhe revitalizimin e saj.
Ajo theksoi se ky takim ka për qëllim të trajtojë disa zhvillime më shqetësuese në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës që lidhen me ngritjen e një muri në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, si dhe masat ligjore që po ndërmerren nga qeveria për të ndaluar këtë ndërtim ilegal e për të mposhtur logjikën e mureve dhe barrikadave që janë në kundërshtim me Ligjet e Kosovës dhe standardet e BE-së për lëvizjen e lirë.
Përfaqësuesit e institucioneve në këtë takim raportuan se që sot në mëngjes janë marrë masat e para, Policia e Kosovës ka inspektuar ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dërguar inspektorët e urbanizmit në terren për të inspektuar zhvillimet.
Sipas saj, zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në lidhje me ndërtimin e murit janë shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për situatën në atë pjesë të Kosovës, duke cënuar të gjitha arritjet e deritanishme për të vendosur normalitetin, stabilitetin dhe rendin./tesheshi.com/