Nga Blendi Gashi
Një ish-ushtar serb në periudhën e luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, për të parën herë sjelli rrëfimin ekskluziv për mënyrën se si shqiptarët vriteshin në kova të mbushura me acid.
Ai në emisionin “Parrotlla” të gazetarit Milaim Zeka, duke folur për mizoritë e serbëve të kryera ndaj popullatës shqiptare, tha se “ekziston një varr masiv në Novi Pazar me 20-30 persona, dhe se eshtrat e kosovarëve të vrarë i kanë thy me gurë dhe i kanë bërë material për me shtru rrugë”.
Pavarësisht kësaj dëshmie tronditëse që doli nga goja e një ish-ushtari serb, institucionet e vendit kanë heshtur plotësisht duke mos e parë të rrugës të thonë një fjalë të vetme, e lëre më të kërkojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme nga Këshillit të Sigurimit ku do mund të shfaqej para botës kjo histori e tmerrshme e kryer nga serbët.
Ndërsa komisioni qeveritar për të pagjeturit ka një arsyetim për mosreagim pasi thotë se informatat në fjalë duhet të përpunohen, opozita heshtjen e krerëve të institucionet e quan armiqësore jo vetëm ndaj viktimave shqiptare, por edhe ndaj gjithë njerëzimit.
Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për të pagjeturit, thotë se e ka dëgjuar rrëfimin e bërë nga ish-ushtari serb, rrëfim që e quan tejet shqetësues në veçanti për familjarët.
Ai thotë se ato informacione duhet të përpunohen nga organet kompetente, jo vetëm nga komisioni qeveritar.
“Policia për krime lufte ka për detyrë, obligim të hetojë dhe sigurojë informacione për vendodhjen e të trupave të cilëve mungojnë. Komisioni qeveritar është në proces të përpunimit të atyre informatave dhe kur të ndodh një gjë e tillë do bëhen kërkesat zyrtare përmes grupit punues që të mësohet gjegjësisht ato lokacione.
Komisioni do të merret me këtë informatë në mënyrën më serioze dhe profesionale, por pa u përpunuar informatat nuk mund të bëjmë diç publike sepse nuk duam ta pengojmë procesin e hetimeve”, ka deklaruar Gjetaj për tesheshi. com.
Ja si e shohin opozitarët heshtjen e pushtetit
Shkodran Hoti, zyrtar për media në Vetëvendosje, shprehet se para çdo veprimi tjetër, Kosova do të duhej ta kushtëzonte Serbinë me kërkimfalje për atë që ka shkaktuar, me kthimin e të pagjeturve dhe më dëmshpërblim për dëmet e luftës.
“Kosova si shtet është treguar e dobët para Serbisë, është dorëzuar në këtë pikë, dhe për me tepër ka qenë kurban i koncesioneve të dëmshme nga negociatat e dëmshme, të pabarabarta e të padrejta, e cila ashpërsohet në raport me ne çdo herë e më shumë. Mendoj që vetëm një qeveri që nuk ndihet inferiore ndaj Serbisë mund ta thyejë këtë heshtje, prandaj e shohim si të domosdoshme që kjo qeveri të mos jetë në krye të shtetit”, thotë Hoti, për tesheshi. com.
Smajl Latifi nga AAK thotë se rrëfime të tilla tronditëse dëshmojnë për përmasat e pashembullta të një gjenocidi të shtetit të Serbisë mbi shqiptarët dhe përkundër kësaj as drejtësia vendore e as ajo ndërkombëtare nuk po i ndëshkon kriminelët serb.
Latifi shprehet se rrëfimet e tilla edhe nga vetë oficerët serbë tregojnë jo vetëm për gjenocid por edhe për etnocid ndaj shqiptarëve, andaj përveç mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, do duhej të themelohej edhe një Gjykatë Speciale për Serbinë.
“Heshtja e institucioneve përballë asaj që dëgjuam nga oficeri serb në emisionin ‘Parrotlla’, kur tha se ‘me eshtrat e shqiptarëve të vrarë janë shtruar rrugët’ është armiqësore jo vetëm ndaj viktimave shqiptare, por edhe normalisht ndaj gjithë njerëzimit. E në vend të ‘Komisionit të presidentit për të vërtetën dhe pajtimin’, më së paku që duhet të bëhet nga shteti ynë janë angazhimi për të grumbulluar fakte të tilla e rrëfime të shumta që na obligojnë t’i padisim dhe të kërkohet me insistim ndëshkimi i këtyre bishave serbe, për më shumë, të kërkohet ndëshkimi deri në përmbysjen e plotë që të çrrënjoset kjo deologji e tmerrshme antinjerëzore e cila vetëm kur e dëgjon, vërtet ta luan kapakun e kokës”, thotë Latifi për tesheshi. com.
Zafir Berisha, deputet nga NISMA për Kosovën, mendon se përveç një reagimi të institucioneve, ato do të duhej të vepronin fuqishëm pas dëshmive të dhëna nga ish-ushtari serb.
“Zyrtarët tonë jo që nuk e kanë përmend gjenocidin edhe në OKB po kanë hasur në vesh të shurdhur. Nëse është dashur të lëviz dikush pas kësaj deklarate të ish-ushtarit serb, është Prokuroria e shtetit e cila do duhej që menjëherë të veproj. Por kjo nuk ndodh sepse në prokurori ka njerëz me dominanc ku i kanë shërbyer regjimit fashistë të Serbisë, ndërsa tash me ndihmën e ndërkombëtarëve në mungesë të ligjit të Lustracionit që t’i shërbejnë xhepave të tyre”, thotë Berisha për tesheshi. com.
Në linkun më poshtë mund të dëgjoni rrëfimin e ish-ushtarit serb ku thotë se “I kanë vendosur shqiptarët në acid, me eshtrat e tyre janë shtruar rrugët”