Nga Manal Qaed Alwesabi
Po sjell në këtë botë një tjetër viktimë të mundshme fëmijë të luftës jemenase dhe nuk e di si do t’ia fal vetes.
E nis ditën time duke menduar se mund të jetë e fundit, prandaj përpiqem të mos ua vë veshin andrallave dhe problemeve të vogla, e ta përshëndes çdokënd si të ishte hera e fundit që e shihnim njëri-tjetrin, sepse në çdo moment mund të bëhemi veç një numër në regjistrat e kësaj lufte.
Kam jetuar në qytetin bregdetar perëndimor jemenas të Hudejdesë që kur isha gjashtë vjeçe, pra, tanimë për 29 vite. Kam shumë kujtime këtu: familja ime, deti, njerëzit, butësia e tyre e tepërt, jasemini arab, shija e ushqimit të këndshëm të detit. Të gjitha ato janë shkatërruar tani nga lufta.
I shoh njerëzit të ecin në rrugë me zemër të rëndë, gjithkush me një histori tragjike të vdekjes së një të dashuri, të humbjes së mjeteve të jetesës, apo të sëmundjes që nuk munden t’i shkojnë pas për ta shëruar.
Jeta ka qenë e vështirë në Hudejde prej nisjes së konfliktit, por gjashtë muajt e shkuar ishin më të këqijtë për ne.
Uria, dëshpërimi dhe vdekja e pushtuan dalëngadalë qytetin teksa luftimet intensifikoheshin. Mësova se në të vetmin spital shtetëror në punë po trajtoheshin më tepër se 600 fëmijë të kequshqyer.
Çmimet e ilaçeve janë dyfishuar. Pacientët me kancer, me bllokim të veshkave dhe me sëmundje kronike e kanë patur të vështirë të marrin trajtim, vazhdimisht të rrezikuar që të humbin jetën nga një prej vonesave të shpeshta në transportin e mjekimit.
Interneti nisi të ndërpritej fillimisht për pak ditë, më pas për javë. Kështu, iu kthyem leximit të librave dhe shikimit të televizionit, pasi nuk kishte asgjë për të bërë.
Pastaj filloi shkëputja e energjisë elektrike, dhe nuk mund të bënim as njërën e as tjetrën. E morëm lehtë fillimisht. Ndezëm disa qirinj dhe iu gëzuam ngrohtësisë së dritës së dridhur. Madje vumë muzikë në telefonat tanë, shpesh të mbytur nga buçima e shpërthimeve të mëdha.
Ndërsa rrethimi i mori frymën qytetit, nuk kishte asgjë për t’u ikur realiteteve të luftës: as plazh, as parqe, as restorante, as internet. Papritur u ndamë prej pjesës tjetër të botës. Dukej sikur po jetonim në një planet tjetër, sikur po e humbnim dalëngadalë natyrën tonë njerëzore.
Im shoq dhe unë vendosëm një ditë të përpiqemi të shkojmë në det. Menduam se ishim të vetmit të marrë në qytet me këtë ide në kokë, por doli se qemë të gabuar. Rripi i vogël i bregut ende jo i bllokuar nga barrikadat ishte plot me njerëz. Bombardimi ishte aq pranë atë ditë, por dukej se të gjithë ne nuk po ia vinim veshin. Njerëzit qëndronin dhe vështronin detin. Askush nuk donte të ikte.
Bombardimi i qytetit u shtua po ashtu. Predhat e pabesa do t’i shkonin në zemër, duke vrarë për çdo ditë pa dallim burra, gra e fëmijë.
Një ditë, im bir, njëmbëdhjetë vjeç, Ammari, po vonohej në shkollë. Teksa përpiqesha të ruaja qetësinë, nuk më ndahej mendimi për predhat apo shpërthimet që kisha dëgjuar dhe se ç’mund ta kishte gjetur fëmijën tim ndërsa po kthehej në shtëpi.
Një mendim ma kishte pushtuar mendjen për pak: jo më viktima fëmijë! Kisha vendosur të mos sillja më fëmijë në këtë botë mizore, për të mos i parë të flijuar në altarin e kësaj lufte të pakuptimtë.
Në nëntor u largova nga Jemeni për rreth një muaj. Jashtë, ndieva se po humbja fuqinë. Kurrë nuk kisha ndjerë angështi në Hudejde në atë mënyrë si jashtë. Nuk m’u duk e drejtë që njerëzit të cilët i lashë pas duhej të përballeshin vetë me luftën. Më tmerronte fakti se do t’i humbisja.
Isha në Jordani për përgatitje në gazetarinë humanitare. Ndërkohë që ndodhesha atje, unë dhe një numër gazetarësh të tjerë jemenas dëgjuam mbi bisedimet e ardhshme të paqes dhe ishim në gjendje të udhëtonim për në Suedi për t’i mbuluar ato.
Unë mora shumë vëmendje duke qenë e vetmja gazetare nga Hudejdeja. Nuk isha e aftë ta ndaja punën time si gazetare nga jeta ime në Hudejde. I pyeta të gjithë zyrtarët dhe gazetarët që takova se ç’dinin për armëpushimin në Hudejde. Doja një përgjigje të qartë, por kurrë nuk e mora.
Ia dola të tërheq vëmendjen e të dërguarit të OKB-së dhe e pyeta: “Sa serioze janë palët e ndryshme mbi dhënien fund luftimeve në qytet?” Ai iu përgjigj pyetjes sime me një tjetër pyetje: “Vini nga i njëjti qytet?” Bëra po me kokë, dhe ai u përgjigj: “Atëherë duhet të jeni vërtet në ankth për të.” Ai, gjithashtu, ishte i shqetësuar, më tha, dhe, për zhgënjimin tim, nuk më dha gjë tjetër.
Gjërat morën një kthesë të paparashikueshme në ditën e fundit. Ndryshe nga ç’pritej, u arrit një marrëveshje armëpushimi. Ëndrrat që kisha menduar se kurrë nuk do të bëheshin realitet nisën të më rishfaqeshin. Pashë në mendje nënën dhe vëllezërit e mi të ktheheshin në Hudejde pas pesë muajsh zhvendosjeje, bashkëshortin të kthehej në punë në kompaninë farmaceutike që i kishte hequr punëtorët për shkak të rrethimit, djalin tim të shkonte në shkollë dhe të luante me shokët pa kërcënimin e bombave; pashë veten me një fëmijë, me një fëmijë që nuk do ta njihte kurrë luftën.
Menjëherë i telefonova bashkëshortit. I kisha harxhuar të gjitha kursimet e mia në Suedi në biseda telefonike me të dhe me tim bir, ngaqë nuk kishte internet në Jemen. Isha shumë e lumtur. I tregova atij për marrëveshjen. Folëm me entuziazëm të madh derisa mbaroi mbushja telefonike.
Pasi i mbyllëm telefonat, ai më dërgoi një mesazh mosbesues: “A je e sigurt se ata shpallën armëpushimin, apo shpallën vazhdimin e luftimeve?!!”
I hoqa nga mendja këshillat nga familja dhe miqtë për të kërkuar strehim në Europë dhe udhëtova për në Jemen. Udhëtimi shkoi katër ditë, ndërsa rrugët kryesore mbeteshin të mbyllura. Me të hyrë në Hudejde e kuptova se më kishte munguar jeta e pasigurt dhe e frikshme atje.
Megjithëse armëpushimi ishte në fuqi, përplasjet nuk kishin ndaluar në kohën që u ktheva. Mund t’i dëgjonim akoma luftimet dhe bombardimet.
Dy javë pas kthimit u gjenda e ulur në sallën e pritjes të një laboratori mjekësor, duke pritur përgjigjet e analizave të mia. Isha tepër në ankth.
Po pyesja veten se ç’do të ndodhte nëse përgjigjja ishte pozitive. Isha e trembur dhe e shqetësuar, sepse nuk e dija si do të ishte reagimi im.
Kur më thirri punonjësja, ia rrëmbeva fletën e përgjigjes së analizave nga duart dhe nuk e pashë atë. Më duhej një vend i qetë ku të mblidhja forcat dhe të përgatitesha për më të keqen. Një shpërthim ndodhi larg, dhe zemra m’u drodh. Mendova me vete: jo më viktima fëmijë!
Punonjësja m’i hoqi dyshimet me një buzëqeshje: “Jeni shtatzënë,” tha ajo.
Ia mbatha. Hyra në makinë dhe e ngava me një dorë gjer në shtëpi, me tjetrën të vendosur në bark, si për ta mbrojtur foshnjën time të palindur nga bombat vdekjeprurëse të kësaj lufte të pafund.
Nuk i tregova askujt. I fsheha për dy ditë përgjigjet e analizave, duke e kaluar vetëm tronditjen. Ndihem keq dhe e turpëruar që jam përgjegjëse për sjelljen në jetë të një viktime tjetër të mundshme fëmijë të luftës. Shpresoj të gjej falje dhe një mënyrë për të mbijetuar. Shpresoj vërtet, sepse e di se kjo luftë nuk do të përfundojë shpejt.
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/