I luajtur në mesditë, çka i heq një pjesë të bukurisë, derbi i Romës i ka buzëqeshur skuadrës me të njëjtën emër, që ka fituar thellë ndaj Lacios.
Skuadra e Lacios ishte pritëse në këtë derbi, por nuk bëri asgjë për ta shfrytëzuar faktorin fushë. Shaarawy e ka kaluar Romën në epërsi që në minutën e 15-të. Dzeko hyn në minutën e 60-të në lojë, duke zëvendësuar pikërisht shënuesin e golit të parë, e pak më tutje e dyfishon rezultatin.
Me një 0-2, Lacio nuk ka çfarë të humbasë, dhe sheh përpara. Pasojnë një goditje shtylle e një goditje traverse përpara se të vijë goli i parë i lacialëve. Minutat e mira për Lacion shpërblehen me golin e Parolo-s në minutën e 75-të.
Shifrat e ngushtuara dhanë përshtypjen se mund të shkohej dhe drejt një barazimi, por Florenzi e Perotti shënojnë njëri pas tjetrit në dhjetë minutat e fundit. Si për ta vulosur pasditen e keqe për Lacion, vjen dhe një karton i kuq, i nxjerrë për Hoedt-in.
Fitorja 1-4 e Romës e afron atë shumë me Napolin e vendit të dytë në Serinë A, teksa vendin e tretë nuk ia kërcënon asnjë skuadër tjetër. Kjo ishte fitorja e 18-të e Romës në kampionat, me një sulm mjaft efikas, duke shënuar 66 gola, më shumë se çdo ekip tjetër. /tesheshi.com/