Pse organet mediatike në Perëndim nuk e mbështetën demokracinë në Turqi, ndërkohë që luftojnë fort për ta mbrojtur atë në vendet e tyre?
Nga Yusuf Özkir*
Për herë të parë në historinë e vendit, mediat turke luajtën një rol thelbësor në kundërshtimin e përpjekjes për grusht shteti natën e 15 Korrikut 2016. Kjo në fakt u pa edhe në mesazhet që puçistët kishin shkëmbyer më njëri-tjetrin në Whatsapp ku kërkonin me ngulm marrjen nën kontroll të mediave publike dhe nxjerrjen e tyre jashtë loje.
Për këtë arsye, ata morën kontrollin e televizionit shtetëror TRT dhe e detyruan spikerën që të lexonte deklaratën. Megjithatë, nuk është e mundur të kesh sukses në një grusht shteti vetëm duke marrë nën kontroll një organ mediatik shtetëror duke marrë parasysh epokën teknologjike në të cilën jetojmë. Në këtë pikë, sjellja e organeve të tjera mediatike ishte jetësore. Në fakt, mediat turke nuk iu binden urdhërit të puçistëve për ta transmetuar “deklaratën e grushtit të shtetit edhe në televizionet e tjera.”
Përkundrazi, jo vetëm që nuk iu bindën këtij të ashtuquajturi urdhër, por mediat turke transmetuan live intervistën e kryeministrit turk Binali Yıldırım, e më pas edhe fjalën e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke bërë të mundur që mesazhi të mbërrinte te populli turk. Që nga CNN Turk te NTV, A Haber te Ulusal Kanal e TVNET te TRT, mediat turke u ngritën kundër grushtit të shtetit. Puçistët u futën me forcë në TRT dhe CNN Turk, ndërsa një sulm i mundshëm ndaj A Haber u shmang nga qytetarët turk, të cilët po i mbronin ndërtesat kundër puçistëve. Policia luftoi kundër puçistëve në TURKSAT (sateliti shtetëror turk), duke zbrapsur përpjekjet e tyre për të marrë nën kontroll të gjitha trasmetimet.
Mesazhi i presidentit Erdoğgan i transmetuar direkt, e ritransmetuar disa herë, luajti një rol të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e vullnetit mbarëpopullor dhe sjelljen e popullit turk në rrugë për të ndaluar tanket e puçistëve. Mediat turke mbajtën anën e qeverisë dhe të popullit, jo të puçistëve, duke parandaluar kështu përhapjen e panikut e të frikës, e duke kontribuar në zbrapsjen e përpjekjes për grusht shteti.
Kjo shënon një moment historik për mediat turke. Në historinë e politikës turke mediat kryesore në shumicën e rasteve kanë mbështetur puçistët – që nga puçi ushtarak i 27 Majit 1960 te puçi i 12 Shtatorit 1980, e që nga puçi post-modern i 28 Shkurtit 1997 deri te memorandumi ushtarak më 27 Prill 2007. Përgjithësisht, mediat kanë vepruar si zëdhënëse dhe transmetuese të puçistëve, sipas rastit. Sidoqoftë, më 15 Korrik 2016 – në datën e puçit të dështuar të organizuar nga organizata terroriste FETO – mediat turke dhanë një shembull të shkëlqyer të fuqisë së gazetarisë në kundërshtimin e autorëve, duke mbështetur demkracinë dhe lirinë. Për këtë arsye, mediat në Turqi përjetuan një pikë kthese në historinë e tyre. Por fatkeqësisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sjelljen e mediave ndërkombëtare.
Mediat amerikane dhe britanike mbajtën anën e puçistëve
Mediat ndërkombëtare, në veçanti ato amerikane dhe britanike, shprehën keqardhje për dështimin e grushtit të shtetit në Turqi. CNN, New York Times, FOX News, Independent, BBC, Financial Times, Washington Post dhe Times ishin të mbushura me ngjarje në favor të puçistëve, në vend që t’i kritikonin ata.
Kryetitujt e gazetave dhe televizioneve të sipërpërmendura anuan qartas me puçistët duke bërë komente të tilla si “Grushti i shtetit do të kishte qenë më mirë për demokracinë në Turqi,” “Mbështetësit e Erdoğanit janë dele,” “Ja si duhej të veprohej që puçi të kishte sukses,” “Lufta kundër ISIS-it do të ndikohet negativisht,” “Erdoğani e meritonte puçin,” dhe “Tendencat autoritariste do të rriten në Turqi.”
Duke parë qasjen e tyre dhe përpjekjet për ta minimizuar sakrificën e popullit turk, mund të themi se mediat perëndimore ishin në favor të puçit të dështuar. Një reagim i ngjashëm, paçka se me tone më ndryshe, erdhi edhe nga politikanët perëndimorë gjithashtu.
Pse organet mediatike në Perëndim nuk e mbështetën demokracinë në Turqi, ndërkohë që luftojnë fort për ta mbrojtur atë në vendet e tyre? Për momentin kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe diskutimet për këtë do të vazhdojnë. Sidoqoftë, mediat turke dhe ato perëndimore patën qasje krejtësisht të kundërta ndaj puçit të dështuar të organizuar nga njerëzit e Fethullah Gyleni të infiltruar në ushtri. E kjo në fakt i vërteton kritikat që thonë se organizata terroriste FETO është një “rrjet i sofistikuar i mbështetur nga fuqitë botërore.” /tesheshi.com/
*Autori është profesor asistent në Universitetin Medipol në Stamboll, në Fakultetin e Komunikimit.