Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve në konfliktin sirian që të ndërpresin menjëherë armiqësitë në provincën Idlib.
“Operacionet e rikthyera ushtaraka në Idlib nga regjimi sirian dhe ata që e mbështesin atë, po shkaktojnë vuajtje të mëdha njerëzore dhe kjo është e papranueshme. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të pushojnë armiqësitë pa vonesë”, tha Këshilli Evropian në një deklaratë.
Drejtuesit nga 27 shtete anëtare të BE-së u kanë bërë thirrje gjithashtu palëve në konflikt në Siri që të garantojnë mbrojtjen e civilëve dhe të përmbushin plotësisht premtimet e bëra në Memorandumin e Soçit të 17 shtatorit 2018.
Unioni tha se ishte i gatshëm për të rritur ndihmën për popullatën më të privuar në Idlib dhe bëri thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm për të lejuar “hyrje të papenguar dhe të drejtpërdrejtë humanitare” për popullatën e cenueshme, tha AP.
Merkel dhe Macron i bëjnë një thirrje Putinit
Drejtuesit gjermanë dhe francezë të enjten i bënë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndjente shqetësimin për situatën humanitare në Idlib dhe bënë thirrje për përfundimin e konfliktit atje.
Merkel dhe Macron biseduan në telefon me presidentin rus gjatë samitit të BE në Bruksel, e mësohet se Putin iu tha që ishte i gatshëm të takoheshin edhe me Presidentin Erdogan për të arritur një zgjidhje politike. /tesheshi.com/