Dëbora ka shtruar pothuajse në mbarë territorin e qarqeve të Kukësit dhe Dibër, duke sjellë edhe probleme qarkullimi jo vetëm në akset dytësore, por edhe në ato kombëtare që mirëmbahen nga borëpastrueset. Më problematike situata paraqitet për shkak të ngricave.
Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve raportohet se janë në terren për hedhjen e kripës. Rruga e Kombit është e hapur, ndonëse ka prani të borës dhe ngricave. 8 borëpastruese për hedhjen e kripës dhe largimin e borës janë duke vepruar në dy anët e rrugës, ndërsa policia ka shtuar numrin e patrullave, duke këshilluar drejtuesit e automjeteve.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe në Qarkun e Dibrës për shkak të reshjeve të borës. Njësitë administrative Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Trebishtë dhe Ostren janë të bllokuara.
Trashësia e borës në këto njësi administrative ka arritur deri në 35 cm. Rruga nacionale Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, e bllokuar është dhe ura e Cerenecit.
Probleme janë shfaqur edhe në Bulqizë, e cila njihet si një ndër zonat më të ftohta të Qarkut Dibër. Ulja e temperaturave deri në minus 7 gradë është shoqëruar, përveç borës, edhe me erë të fortë.
Në njoftimin për shtyp të ministrisë së Mbrojtjes thuhet se edhe forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast emergjencash. /tesheshi.com/