Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë shprehur dakord për të reduktuar shpenzimet në fushatat zgjedhore. Në një diskutim të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, palët kanë pranuar se në fushatat elektorale “hidhen” shumë para, ndërsa Klement Zguri e cilësoi të papranueshme mungesën e transparencës në financimin e partive.
“Sa më shumë parti do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do të jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjshmërinë e fushatave”, theksoi ai, ndërsa vuri në dukje se transparenca do të ulë abuzimin dhe manipulimin e zgjedhësve.
“Zhvillimi i fushatave zgjedhore luksoze dhe mungesa e transparencës së financimit të partive politike, për një vend të vogël si Shqipëria është fenomen i papranueshëm pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik. Cënon besimin e publikut tek zgjedhjet dhe demokracia. Kriminalizon procesin, deligjiton përfaqësimin dhe rrënon llogaridhënien politike”, tha Zguri.
Ndërkohë Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit të Reformës Zgjedhore deklaron se paraja e paligjshme, e disponueshme në tregun politik shqiptar ka volum gjigand. Sipas tij, deri në 20% e zgjedhësve preket nga forma të shitblerjes së votës. /tesheshi.com/