Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Jens Stoltenberg tha sot në Shkup se është e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë që të vendosin në referendumin e pritshëm për emrin e ri nëse do t’i bashkohen Europës dhe theksoi se Aleanca Atlantike e pret Maqedoninë si anëtare të saj të 30-të.
Stoltenberg, së bashku me ministren e Mbrojtjes maqedonase, Radmilla Shekerinska mori pjesë në një stërvitje ushtarake në kazermën “Ilinden”, informon MIA.
“Vendi juaj ka një ushtarë të trajnuar të cilët janë të përgatitur për të marrë pjesë në operacione komplekse. Fakti që keni qenë të pranishëm në misione ushtarake të udhëhequra nga NATO në Afganistan, Irak dhe vende të tjera, tregon se ju keni një ushtri që kontribuon në sigurinë ndërkombëtare”, tha Stoltenberg.
Shekerinska tha se 4,000 ushtarë maqedonas kanë marrë pjesë në misionet e ndryshme të NATO-s deri tani.
Referendumi në Maqedoni do të mbahet më 30 shtator. Rezultati do jetë përcaktues për të ardhmen e Maqedonisë në BE dhe NATO. Ndaj dhe Brukseli po mësyn në Shkup për të ofruar mbështetje për një “Po” – pro marrëveshjes me Athinën për emrin e ri. Ne Shkup pritet të mbërrijë në fundjavë dhe kancelarja Merkel. /tesheshi.com/