Rreth 92 % e pjesëmarrësve në referendum në rajonin e Kurdistanit i kanë dhënë mbështetje pavarësisë. Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, në votime morën pjesë 3.3 milionë banorë, nga të cilët 92 % kanë mbështetur pavarësinë.
Shpallja erdhi përkundër një thirrjeje të minutës së fundit nga kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi që rezultati do të “anulohej”.
Kryeministri irakian u bëri thirrje kurdëve që në vend të kërkimit të pavarësisë të angazhohen për dialog me Bagdadin “në kuadër të Kushtetutës”.
Referendumi në Kurdistanin e Irakut është kundërshtuar nga Irani, Turqia, Siria, ndërkohë që edhe faktori ndërkombëtar nuk ka shprehur mbështetje, të paktën publikisht.
Tashmë pritet reagimi i shteteve fqinje me Irakun, por edhe i drejtuesve kurdë se çfarë do të bëjnë me rezultatin e shpallur. /tesheshi.com/