Kompania e materialeve sportive Reebok ka anuluar planin e saj për të nxjerrë në shitje atlete të posaçme për ditën e pavarësisë së Izraelit.
“Reebok dëshiron të distancohet nga një model i tillë,” ka lajmëruar të martën prodhuesi amerikan i veshjeve sportive.
Reebok Israel ka prezantuar të hënën modelin e ri me rastin e 68-vjetorit të pavarësisë së Izraelit, që do të shënohet më 12 maj, kanë njoftuar mediat izraelite.
Ky veprim është kritikuar ashpër nga ana e organizatave propalestineze dhe nga individë të ndryshëm, duke thënë se Reebok-u po i shkel palestinezët me atletet “Izrael 68”.
Shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë bërë thirrje për t’i bojkotuar prodhimet e kësaj kompanie.
Atletet e planifikuara për t’u nxjerrë në shitje janë me ngjyrë të kaltër e të bardhë, sikurse flamuri i Izraelit, ndërsa në shputë kanë mbishkrimin “Izrael 68”.
Drejtori i kompanisë në Izrael, Moshe Sinai, kishte sqaruar më herët se do të jetë në prodhim vetëm një seri me rastin e festës, e se ato kanë qenë të destinuara për koleksionistët në Izrael dhe në mbarë botën.
Atletet janë modeluar me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Izraelit. Ato marrin formë varësisht nga shputa e personit që i vesh, me ndihmën e teknologjisë së posaçme të Reebok-ut.
‘Fuqia e sportit’
Reebok Israel e ka tërhequr njoftimin e mëhershëm, me arsyetimin se “kompania nuk ka ndër mend të modelojë një produkt të tillë, e se ka qenë një mospajtim midis shpërndarësit lokal dhe konceptit të modeluesit të pavarur që ka bërë projektimin e tyre”.
Zëdhënësi ka thënë: “Reebok nuk lejon që veshjet sportive të kompanisë të politizohen, dhe nuk dëshiron që të shpërndajë atlete të cilat mbartin simbole kombëtare apo shtetërore.”
“Reebok beson se sporti posedon fuqinë e bashkimit. Përparësia jonë kryesore është t’i frymëzojmë njerëzit të jenë absolutisht më të mirët në të gjitha aspektet, fizike, mendore dhe shoqërore.” thuhet në vazhdim të njoftimit.
Lëvizja “Bojkoto, mos investo, sanksiono” e ka përshëndetur vendimin e kompanisë. /tesheshi.com/