Në kohën kur Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) e kanë braktisur shumica e pjesëtarëve serbë, N.S. nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe, vendosi që të aplikojë në një nga konkurset e hapura në këtë institucion.
N.S është anëtar i FSK-së tash e një vit. Në një bisedë me Radion Evropën e Lirë (REL), ai pranon se ka vendosur që të aplikojë meqë ishte i papunë, por edhe sepse gjithmonë ka dëshiruar të bëhet ushtar.
Ai pohon se përvoja e tij është pozitive, ndërsa konsideron se FSK-ja i ka përmbushur pritjet e tij.
“Ka shumë trajnime, përgatitje fizike dhe psikike”, deklaron N.S.
Deri në 10 vjet burg në Serbi për pjesëmarrje në FSK
Me vite të tëra, Beogradi zyrtar kërkon nga serbët e Kosovës që mos t’i bashkohen FSK-së, ndërsa tërheqë vërejtjen se pjesëmarrja e mundshme e serbëve në këtë forcë do të konsiderohet “aktivitet ilegal”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuuçiq, disa herë u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që mos të bëhen pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në vitin 2019, pas një takimi me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, ai ka porositur se “ata duhet të mendojnë përse dhe për çfarë qëllimi është formuar Ushtria e Kosovës”.
“Vetëm edhe kjo na duhet – konflikti serbo-serb”, kishte thënë atëbotë Vuçiq.
Një vit më herët, më 2018, Marko Gjuriq, drejtori i zyrës për Kosovës, në Qeverinë e Serbisë kishte deklaruar se “anëtarësimi në formacionet ushtarake ilegale është i jashtëligjshme dhe sanksionohet me deri në 10 vjet burgim”.
Ndërkohë, një nga presionet që ndodhi në vitin 2018 ndaj serbëve të cilët ishin pjesë e FSK-së ishte kur në Zubin Potok, në veri të Kosovës, u paraqitën pllakatet ku haptazi ata u kërcënuan, ndërsa nënshkruese të pllakatit ishte e ashtuquajtura, “Armata e Veriut”. Në këto fletushka, në mes tjerash ishte shkruar: “Do t’iu thyejmë eshtrat”.
Mirëpo, N.S. pohon se deri më tani, nuk ka hasur në reagime negative për shkak të vendimit të tij që të bëhet pjesë e FSK-së, ndërsa i bën ftesë edhe të tjerëve të veprojnë njëjtë.
Gjithashtu ai paralajmëron se do e paraqesë tek organet kompetente çfarëdo presioni të mundshëm sepse konsideron se ka shërbime të cilat “reagojnë në rast të presionit të mundshëm”. N.S. pjesëtar serb i FSK-së, thotë se e sheh veten si “ushtar i ardhshëm i Kosovës”.
Presioni nga Beogradi po largon serbët nga FSK-ja
FSK numëron përafërsisht 2.500 anëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Dhjetë për qind e numrit të përgjithshëm është i rezervuar për komunitetet joshumicë. Ndërkohë, kjo forcë numëron 45 pjesëtarë serbë, ndërsa 140 të tyre e kanë braktisur FSK-në.
Sadika Kofrc, zëvendësministre e Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, e ngarkuar me çështjen e komuniteteve joshumicë, pohon se pjesëtarët serbë kanë vendosur që të braktisin FSK-në pikërisht për shkak të presionit të Qeverisë së Serbisë.
“Ne kemi deklarata me shkrim ku radhiten arsyet përse ata janë larguar nga FSK-ja. Ata vullnetarisht kanë braktisur Ushtrinë e Republikës së Kosovës, për shkak të presioneve të institucioneve serbe, në kalimet kufitare. Bëhet fjalë për persona që jetojnë në mjediset me shumicë serbe dhe atje presioni, fatkeqësisht është shumë i madh”, deklaroi Kofrc për REL.
Sipas zëvendësministres së Mbrojtjes, kjo ministri ofron mbrojtje për pjesëtarët që vijnë nga komuniteti serb, mirëpo ajo tërheqë vërejtjen se Kosova nuk mund të bëjë shumë kur këta pjesëtarë kalojnë kufirin me Serbinë.
“Ne mundemi të garantojmë që në territorin e Republikës së Kosovës ata nuk do t’i nënshtrohen presioneve, mirëpo problemi qëndron te pala tjetër”, porositë Sadika Kofrc.
Ajo nënvizon se nuk janë vetëm serbët pre e presioneve, meqë, sipas Kofrc, edhe pjesëtarët boshnjakë të FSK-së ballafaqohen me të njëjtat probleme kur e kalojnë kufirin me Serbinë.
Më 22 gusht ka skaduar konkursi për pranimin e 400 rekrutëve të rinj të FSK-së, ndonëse për shkak të pandemisë së koronavirusit, lejohet dorëzimi i dokumentacionit edhe pas kësaj date. Nga ky numër, 40 vende janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Deri më 21 gusht, 50 nga ata janë lajmëruar në konkurs.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, më 20 gusht përshëndeti angazhimet për inkurajimin e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Përvoja e Amerikës dhe vendeve tjera është që shoqëria është më e fuqishme, ndërsa besimi në mes të komuniteteve mund të rritet, kur shërbimet e uniformuara reflektojnë popullatën të cilës i shërbejnë dhe e mbrojnë”, ka shkruar Kosnett në porfilin e tij në Twitter.
Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar në vitin 2009, konform planit të ish-presidentit finlandez Marti Ahtisarit – dokument ky i cili solli pavarësinë e Kosovës.
Para këtyre Forcave, në Kosovës kanë ekzistuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të formuara më 1999, menjëherë pas luftës dhe pas çarmatimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto trupa ishin formuar në marrëveshje me NATO-n dhe kanë shërbyer si forca emergjente të sigurisë.
Përgjegjësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë të bëjnë me ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen e qytetarëve, të pronës dhe interesave të Kosovës. Këto forca janë formuar nën mbikëqyrjen e NATO-s, mirëpo misioni dhe kapacitetet nuk janë përputhur me ambiciet e institucioneve kosovare që të formojnë Ushtrinë.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet. Ky vendim i parlamentit kosovar nuk u mirëprit nga zyrtarët e NATO-s. /REL/