Vetëm pak ditë kanë kaluar që nga e diela e shkuar, por gjërat kanë ndryshuar kryekëput në parketin ku ndeshen dy rivalët e egër spanjollë, Reali i Madridit dhe Barcelona.
Katalanasit i dhanë fund më 18 shkurt mbizotërimit të Realit në Kupën e Mbretit për katër sezone rresht, me finalen të fituar prej tyre në çastet e fundit të lojës, me vetëm dy pikë epërsi.
Ama historia nuk ka të ngjarë të përsëritet në Euroleague, aty ku luajnë ekipet më të mira të Europës në basketboll.
Ndonëse ndeshja e së premtes, për javën e 23-të të sezonit të rregullt të Euroleague-s, luhej në “Palau Blaugrana”, madrilenët i shkatërruan keq vendasit, duke marrë hak për finalen e humbur të Kupës së Mbretit.
Rezultati i përgjithshëm ishte katastrofik për Barcelonën, 74-101. Ekuilibër pati vetëm në dhjetëminutëshin e dytë, që përfundoi 22-22, ndërkohë që periodat e tjera u mbyllën të tëra në favor të Realit, 13:30, 22-31 dhe 17-18. Shënuesi më i mirë qe Jaycee Carroll, i Realit, me 18 pikë.
Reali i Madridit mban vendin e katërt në renditjen e Euroleague-s; Barcelona gjendet në skajin tjetër, në vend të 15-të, të parafundit. /tesheshi.com/