Nga Nada Dosti
Hapësira që mbulon kronika e zezë dhe show biz-i e tejkalon me përmasa të tmerrshme hapësirën që duhet të zërë në fakt qëllimi që ka në vetvete media.
Dhe ja në çfarë gjendje jemi sot.
Në vend që të qajmë hallin e atyre grave që për çdo ditë (me sa duket për këtë muaj ka shkuar në 6 numri i viktimave) po shkojnë për tek Zoti, shkaku i krimit brenda familjes dhe që në njëqindpërqind të rasteve kryhet nga mashkulli, qajmw hallin e portaleve dhe super-gjithologët-frustrimshfryesit e internetit të cilët të përdhunojnë, masakrojnë, syrgjynojnë e pastaj të vrasin për të shtatën herë dhe nuk të lënë të vdesësh rehat. Të vrasin me paragjykime, me akuza, supozime, shpifje dhe më keq akoma me duartrokitje prej spektatorësh me jargë nëpër buzë që me gjithë shpirt do e kishin bërë vetë një gjest të tillë por nuk kanë “kurajon= burrërinë” për të vepruar të njëjtën gjë. Këta kryetrima që valëvitin nëpër duar flamuj gjykimesh dhe verdiktesh janë më keq akoma se krimineli në fjalë. Vrasësi kryen një krim duke marrë jetën, ndërsa këta të marrin jo vetëm nderin personal por nderin e gjithë familjes, fisit dhe komunitetit të tërë.
Këta hatersa që mezi kanë pritur rastin, nuk mendohen dy herë, dhe as që ja përtojnë me i rënë tastierës me sa mllef të kenë për të shfryrë gjithë frustrimet personalet, inatet, hatërmbetjet, ankthet e simptoma të tjera neurotike. S’ka problem nëse fyhet një gjini e tërë, aq më pak një komunitet i tërë. Rëndësi ka që këto tipa të nxjerrin atë çka mbajnë përbrenda, që të paktën vetë të ndihen paksa më mirë, edhe pse në fund mbeten me gishtë në gojë, sepse urrejtja sjell urrejtje, mllefi mlllef dhe dufi duf. Skenari që aplikohet gjithmonë, në mënyrë standarte, pa ndryshuar as edhe një presje, përfundon me këta trimat e internetit duke sulmuar njëri tjetrin nëpër komente, ndërsa portalet, këto kryemekanizmat gjeniale që e shkaktuan gjithë këtë kaos, bëjnë sehir duarkryq.
Sot nuk ka më njeri durim të analizojë disa burime të ndryshme të informacionit, të verifikojë lajmin, aq më tepër të vërë trrurin në punë dhe të dalet për një moment e të mendojë: kjo s’mund të jetë e vërtetë! E pse? Vetëm sepse viktima ka qenë fetare/ muslimane praktikante, dhe kjo e bën atë të shenjtë? Jo, por sepse unë e kam njohur viktimën, rrethi im shoqëror, familjarët, fisi, bashkëpunëtoret, komshinjtë dhe një komunitet i tërë e ka njohur. Disa vlera dhe cilësi njeriu i ka të shkruara në ballë, dhe ne të gjithë jemi dëshmitar të veprimeve dhe përditshmërisë së njeri-tjetrit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një rreth të ngushtë dhe një komunitet të vogël siç janë besimtarët muslimanë të Tiranës. Sepse lind detyra, që unë si besimtare të refuzojë vërtetësinë e çdo lajm që vjen nga njerëz të pandërgjegjshëm (në këtë rast drejtuesit e portaleve dhe ata që fshihen pas tyre) dhe ta shqyrtojë mirë atë (shiko Kuran: Huxhurat, 6)
Që ka islamofobi në mediat shqiptare ky është fakt. Këtë e dëshmojnë për ditë raportet mbi temën, denoncimet e përditshme, zëri që u jepet anti-muslimanëve/islamofobëve dhe kush ka pak mend dhe vetëndërgjegjësim e dallon dhe e gjen atë edhe në ajrin që thith, e në më të keqin e rasteve e provon në lëkurën e vetë.
Por të përdorësh një fatkeqsi, një krim që kushedi në ç’rrethana është kryer, si dhe përse është kryer, për të sulmuar një grua, një muslimane, ke diskriminuar të gjithë muslimanet me mbulesë dhe fenë islame në përgjithësi. Pastaj ta përdorësh atë çka ndodhi, dhe shumë raste të tjera të ngjashme, për disa klikime dhe për pak më shumë audiencë duke vënë tituj sensacionalë, duke përdorur ironi apo forma të tjera talljeje, shkon përtej humanes.
Shto këtu maskilizmat dhe patriakalizmat të tipit “të lumtë pushka” që e kthen të gjithë këtë fatkeqësi në një tragjedi kombëtare, në një dramë. Drama e mentalitetit të sëmurë. Dramë kolektive. /tesheshi.com/