Kryeministri Rama përcolli një tjetër mesazh për mosdorëzim ndaj presionit të opozitës dhe vijimin e qeverisjes sipas mandatit kushtetuese deri në 2021. E bëri këtë duke përdorur dhe kartën e kauzës së studentëve – jo kartën studentore – duke thënë se “mandati deri në fund” duhet të jetë dhe për ta.
“Sot kishim mbledhjen e përjavshme që bëjmë me të gjithë ministrat që janë angazhuar për Paktin për Universitetin dhe jemi në fazën e mbledhjes së të gjitha të dhënave për nevojat e universiteteve në drejtim të infrastrukturës, për ato që kanë nevojë për projekte. Por edhe për logjistikën, laboratorët, praktikat e punës dhe konsulencat.
Gjatë këtij mandati ne do të mund të çelim kantierin më të madh në historinë e universitetit për të kryer një transformim epokal në të gjitha drejtimet. Jemi të vendosur për të dëgjuar dhe të reagojmë kur ajo që dëgjojmë na mëson diçka, pa pasur për asnjë moment atë tendencën për të thënë ‘Jo’ apo të bëjmë sikur nuk kemi dëgjuar. Zëri i qytetarit nuk është vetëm kur ai zgjedh, aty është gjykimi, zëri duhet të dëgjohet gjatë gjithë kohës. Sa shumë njerëz në fushatë janë përpjekur të thonë unë jam zëri juaj dhe gjithcka e ka marrë era, por me ne është ndryshe”, tha Rama.
Deklarimi i tij u bë gjatë një takimi të radhës të platformës së bashkëqeverisjes. /tesheshi.com/