Qeveria Rama ka dëbuar ambasadorin iranian në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, duke e akuzuar atë për cenim të sigurisë kombëtare. Bashkë me të, është shpallur “non grata” edhe një tjetër diplomat nga kjo ambasadë.
Konkretisht nuk bëhet e ditur se për ç’rast është fjala, por afërmendsh lidhet me kontigjentin njerëzor të opozitës iraniane, të quajtur ndryshe si muxhahedinë, të cilët ndodhen prej vitesh në Shqipëri, të strehuar nga aujtoritetet shqiptare, me kërkesë të SHBA.
Ndaj dhe reagimi i parë për këtë akt ka ardhur nga Uashingtonit, në formë vlerësimi. Ka qenë John Bolton, Këshilltari për Sigurinë në administratën Trump, që në një postim në Twitter, thekson se SHBA mbështet këtë vendim.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke sinjalizuar liderët iranianë se mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne mbështesim kryeministrin Edi Rama dhe popullin shqiptar teksa ata ngrihen ndaj sjelljes moskokëçarëse të Iranit në Europë dhe përreth globit”, u shpreh Bolton. /tesheshi.com/